Vritet udhëheqësi i grupit të fuqishëm paramilitar rus Espanola që luftoi në Ukrainë

Espanola, një grup paramilitar ultranacionalist që lufton në krah të Rusisë në Ukrainë, konfirmoi të premten vdekjen e liderit të saj, Stanislav Orlov, në rrethana të paqarta. Orlov, i njohur me emrin e luftës “Spanjolli”, e themeloi Espanolën në pranverën e vitit 2022, menjëherë pasi Rusia nisi pushtimin e plotë të Ukrainës, si pjesë e batalionit Vostok në rajonin e pushtuar të Donetskut në lindje të Ukrainës. Anëtarët e Espanolës, përfshirë Orlovin, janë huliganë rusë të ekstremit të djathtë. Vetë Orlovi, sipas raportimeve, ka luftuar përkrah forcave proruse kundër qeverisë ukrainase që nga viti 2014. Transmetuesi RTVI, duke iu referuar burimeve anonime, raportoi më 10 dhjetor se Orlovi u vra gjatë arrestimit pas akuzave për trafikim me armë. Fati i tij ishte objekt diskutimesh online në ditët pasuese, derisa Espanola konfirmoi vdekjen e tij. “Të afërmit dhe miqtë e ngushtë të Stanislav Orlovit i ftojnë të gjithë të bëjnë homazhe për liderin, themeluesin dhe frymëzimin pas Espanolës”, njoftoi grupi në kanalin e tij në Telegram. Ata njoftuan se ceremonia mortore do të mbahet të hënën në Katedralen e Krishtit Shpëtimtar në Moskë. Espanola nuk publikoi datën dhe as shkakun e vdekjes së Orlovit. “Aktualisht, autoritetet qendrore hetimore po punojnë për të përcaktuar shkakun dhe vendin e saktë të vdekjes së tij, si dhe për të identifikuar përgjegjësit,” shkroi Espanola në kanalin e saj në Telegram. Komiteti Hetimor i Rusisë, që heton krime të rënda penale, nuk ka reaguar publikisht për vdekjen e Orlovit, shkruan The Moscow Times. Informacione të pakonfirmuara nga blogerë pro-luftës pretendojnë se Orlovi u vra gjatë arrestimit, ndërsa të tjerë pohuan se ai kishte qenë në koma “për disa ditë” para vdekjes. /Telegrafi/