Një grup i deputetëve të PE-së i shkruajnë Ursula von der Leyen, kërkojnë që Kosovës t’i hiqen masat menjëherë

Një grup i deputetëve të Parlamentit Evropian (MEP) i kanë dërguar një letër Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Komisioneres për Zgjerim, Marta Kos, duke i bërë thirrje që të heqin menjëherë të gjitha masat e vendosura ndaj Kosovës. Kështu ka bërë të ditur raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, në një postim në platformën X. Terras ka postuar po ashtu letrën që i është drejtuar presidentes së KE-së dhe komisioneres për zgjerim, të premten më 19 dhjetor. “Ne, deputetët e nënshkruar të Parlamentit Evropian, kërkojmë heqjen e menjëhershme të masave ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës në vitin 2023. Masat që Komisioni Evropian i hartoi dhe i vendosi ndaj Kosovës kanë qenë të padrejta, joproporcionale dhe kundërproduktive që nga fillimi. Ato nuk kanë pasur asnjë qëllim real që nga momenti i vendosjes, dhe Bashkimi Evropian nuk ka arritur asgjë me këto masa përveçse një rënie të opinionit publik në Kosovë ndaj Bashkimit Evropian. Ndikimi negativ i masave të Bashkimit Evropian në shoqërinë e Kosovës është jashtëzakonisht i thellë dhe ndihet në shumë fusha të ndryshme të jetës. Organizatat e shoqërisë civile, sektorët kulturorë dhe arsimorë, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, sektori i energjisë dhe shumë të tjerë po vuajnë nga këto masa të panevojshme”, thuhet në letër. Tutje thuhet se ndikimi i masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndihet kryesisht në jetën lokale, dhe më pak në nivel qeveritar. “Ndëshkimi i popullit të Kosovës përmes masave të tilla duhet të ndalet duke i hequr 100% të masave. Heqja e 50% të tyre nuk është e mjaftueshme. Prandaj, i bëjmë thirrje Komisionit Evropian që menjëherë t’i japë fund këtyre masave. Kjo duhet të bëhet para zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës më 28 dhjetor 2025”, thuhet në letër. /Telegrafi/ I have signed with other MEPs a letter to @vonderleyen and Commissioner @MartaKosEU . #EU ’s punitive measures on #Kosovo hurt civil society, #SMEs , #education and #energy , not politicians. All measures must be lifted now. @EU_Commission @Europarl_EN @eu_enlargement_ pic.twitter.com/2V7KMkiwgw — Riho Terras (@RihoTerras) December 19, 2025