Musk fiton të drejtën e aksioneve në vlerë të 139 miliardë dollarëve të Teslës

Gjykata Supreme e shtetit amerikan, Delaware ka vendosur që Elon Musk, drejtuesi ekzekutiv i kompanisë Tesla, të përfitojë aksionet e Teslës me vlerë 139 miliardë dollarë. Ky vendim erdhi pasi një gjykatë më e ulët kishte bllokuar dy herë dhënien e aksioneve. Bëhet fjalë për gjithsej 303 milionë aksione, dhe Gjykata Supreme ka konstatuar se gjykata më e ulët kishte gabuar në vendimin e saj. Sipas saj, pengimi i dhënies së kompensimit për Musk do të ishte i padrejtë, duke marrë parasysh kohën dhe përpjekjen që ai ka investuar gjatë gjashtë viteve të fundit. Aksionet ishin miratuar nga aksionarët në 2018 për t’i dhënë Musk një kompensim me vlerë disa dhjetëra miliarda dollarë, por gjykatat më të ulëta kishin penguar zbatimin e kësaj vendimi, raporton CNN. Sipas indeksit të medias amerikane Bloomberg, Musk me pasurinë e tij prej 644 miliardë dollarësh është personi më i pasur në botë. Një pjesë e madhe e kësaj pasurie qëndron në 413 milionë aksione të Teslës, të cilat janë në pronësi të tij të plotë. Vlera e tyre përfundimtare dje ishte 199 miliardë dollarë, ndërsa çmimet e aksioneve të Teslës janë rekord. Së fundmi, Tesla miratoi për Musk një paketë të re kompensimi në aksione, e cila mund të arrijë një trilion dollarë nëse çmimi i aksioneve të Teslës arrin nivelin që parashikon vetë Musk dhe kompania. Tesla është një nga kompanitë ku ai ka pronësi. Për më tepër, Musk është aksioneri kryesor i kompanisë hapësinore SpaceX, të cilën planifikon ta listojë në bursë gjatë vitit të ardhshëm. Pritet që kjo të rrisë edhe më tej pasurinë e tij. /Telegrafi/