Partia opozitare LSDM ka akuzuar qeverinë aktuale pasi Shkupi vazhdon të jetë ndër qytetet më të ndotura në Evropë. Sipas LSDM-së, pushteti nuk është duke ndërmarë masa konkrete në këtë drejtim. “Në vend që të investojë para në projekte dhe politika për ajër më të pastër, në vend që të marrë masa dhe t’i mbrojë qytetarët, qeveria e Mickoskit shikon si të pompojë më shumë para përmes tenderëve kriminalë. 161 tender për një kompani, 9 milionë euro për një tjetër, vetëm për këtë ka para qeveria e Mickoskit. Nuk ka për investime në masa për ajër më të pastër. Për më tepër, sipas metodave të Vuçiqit dhe Gruevskit, Hristijan Mickoski i gënjen qytetarët se ajri ka qenë më i pastër se ai i Vjenës”, thonë nga LSDM. Sipas të dhënave nga “Air Care” zviceran, edhe mëngjesin e ditës së sotme Shkupi zuri vendin e tretë pas Sarajevës dhe Bukureshtit sa i përket përqendrimit të grimcave PM-10. Sipas të dhënave nga ky aplikacion, në stacione të caktuara matëse në Shkup, përqendrimi i grimcave PM-10 tejkalon 300.