Lekaj: Kurti i mashtroi shtatë kategori shoqërore

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për deputet, Pal Lekaj, ka kritikuar ashpër qeverisjen e kryeministrit Albin Kurti, duke e akuzuar se ka mashtruar shtresa të ndryshme të shoqërisë dhe ka dëmtuar rëndë ekonominë e vendit. Në një reagim publik, Lekaj ka thënë se gjatë qeverisjes së Kurtit është rritur ndjeshëm kostoja e jetës, ndërsa rritja e pagave ka mbetur pas, duke çuar në varfërim të qytetarëve dhe përkeqësim të mirëqenies sociale. Sipas tij, shtatë kategori shoqërore janë prekur më së shumti nga politikat e qeverisë aktuale: çiftet e reja, gratë kryefamiljare, arsimtarët, infermierët, policët, zjarrfikësit dhe shërbyesit civilë. “Qeveria e Albin Kurtit nuk la shtresë të shoqërisë pa e mashtruar. Një qeveri që proklamonte shpresën, por që në praktikë shkatërroi ekonominë dhe i varfëroi qytetarët,” ka deklaruar Lekaj.“ Ai ka theksuar se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj zhvillimit ekonomik dhe përmirësimit të kushteve të jetesës për qytetarët, duke shtuar se AAK është “krah qytetarëve dhe interesit të tyre”. Në fund, Lekaj ka bërë thirrje për mbështetje elektorale për Aleancën, duke theksuar se numri 129 përfaqëson alternativën për zhvillim ekonomik dhe drejtësi sociale në Kosovë.