KCSF avancon në nivel europian, merr statusin Enlargement Candidate Member

Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) është përzgjedhur si Anëtar Kandidat për Zgjerim (Enlargement Candidate Member – ECM) në Komitetin Ekonomik dhe Social Europian (EESC), duke shënuar një angazhim të ri dhe të rëndësishëm në nivel europian. Në këtë rol, KCSF do të kontribuojë drejtpërdrejt në punën e EESC-së, me fokus të veçantë në çështjet që lidhen me shoqërinë civile dhe procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, duke përfaqësuar perspektivën dhe interesin publik nga Kosova. KCSF ka theksuar se do ta shfrytëzojë këtë angazhim për të avancuar rolin e shoqërisë civile në Kosovë, për të forcuar përfaqësimin e interesit publik dhe për të dhënë kontribut në procesin integrues jo vetëm të Kosovës, por të gjithë Ballkanit Perëndimor. Komiteti Ekonomik dhe Social Europian është institucioni i parë i Bashkimit Evropian që ka hapur dyert për përfshirjen e vendeve kandidate për anëtarësim, duke u dhënë atyre mundësinë të kontribuojnë në proceset këshillimore dhe vendimmarrëse në nivel europian. Nga KCSF është shprehur mirënjohje për EESC-në për besimin dhe mundësinë e dhënë, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit me institucionet e BE-së dhe avancimit të agjendës integruese të Kosovës.