Lodhje dhe rraskapitje e pashpjegueshme: Shkaku mund të jetë stomaku që ju shteron energjinë

Para se ta fajësoni stresin, kontrolloni këto sinjale nga stomaku Lodhja e pashpjegueshme, rraskapitja dhe mungesa e energjisë nuk janë domosdoshmërisht shenja të mbingarkesës apo stresit. Shkaku i këtyre shqetësimeve, që ndikojnë ndjeshëm në cilësinë e jetës, mund të jetë një problem shëndetësor i sistemit tretës . Ekspertët rikujtojnë se ekziston një lidhje e fortë midis stomakut dhe trurit, nëse një organ i tretjes nuk funksionon siç duhet, mund të ndihemi thellësisht të lodhur. Sistemi tretës si themel i energjisë sonë Gretchen Evans, gastroenterologe interventive, thekson se sistemi tretës shtrihet nga goja deri te anusi dhe përfshin një sërë organesh komplekse. Ai është themeli i energjisë sonë , nënvizon ajo. Stomaku dhe zorrët përpunojnë dhe përthithin ushqimin, ndërsa flora e zorrëve përmban triliona baktere - i ashtuquajturi mikrobiom . Mikrobioma përfshin mikroorganizma (baktere, viruse, kërpudha) dhe materialin e tyre gjenetik që jetojnë në zorrë. Kur flora e zorrëve është e ekuilibruar, tretja funksionon mirë, imuniteti është më i fortë dhe edhe shëndeti mendor përmirësohet; ndërsa disbioza (mbizotërimi i baktereve “të këqija”) rrit rrezikun për sëmundje. Shumica e mikrobiomës formohet rreth lindjes Organe si mëlçia dhe pankreasi ndihmojnë në prodhimin e energjisë, mbështesin metabolizmin, rregullojnë enzimat dhe largojnë toksinat. Sipas dr. Evans, një mikrobiom i shëndetshëm bashkëpunon me sistemin tretës në procesin e tretjes dhe mbron zorrët nga depërtimi i substancave të dëmshme. – Sistemi tretës është “shtëpia” e baktereve të zorrëve. Kur organet e tretjes janë të shëndetshme dhe ushqehemi drejt, mikrobioma forcohet dhe niveli i energjisë rritet, thotë ajo, duke shtuar se njohuritë tona për ndikimin e baktereve janë ende të kufizuara. – Sapo kemi gërvishtur sipërfaqen e kompleksitetit të mikrobiomës. Shumë produkte reklamohen si transformuese të mikrobiomës, por e vërteta është se pjesa më e madhe e mikrobiomës formohet rreth lindjes, thekson dr. Evans, transmeton Telegrafi. Si ta përmirësojmë florën e zorrëve? Kjo nuk do të thotë se nuk mund të bëjmë asgjë. Ushqyerja e shëndetshme , përdorimi i kontrolluar i antibiotikëve dhe një stil jetese aktiv ndihmojnë ndjeshëm. Me hapa të thjeshtë mund të përmirësojmë funksionin e zorrëve, të rrisim energjinë dhe të forcojmë imunitetin. – Konsumoni çdo ditë perime, veçanërisht perime me gjethe jeshile . Shmangni pijet e ëmbëlsuara (përfshirë lëngjet) dhe ëmbëlsuesit artificialë. Kufizoni ushqimet e përpunuara, ato me shumë sheqer dhe yndyrna shtazore. Zgjidhni proteina të dobëta dhe yndyrna bimore si vaji i ullirit dhe avokado . Ushqimet e fermentuara (p.sh. kos grek, lakër turshi), si dhe probiotikët dhe prebiotikët , ndikojnë pozitivisht në sistemin tretës, këshillon dr. Evans. Ajo shton edhe një pikë të rëndësishme: kufizoni “ngrënien pa pushim” . Ushqimi është stresor për sistemin tretës. – Duhet t’i japim sistemit tretës pushim më të gjatë se katër orë , që të rikuperohet dhe të forcohet. Ky “pushim për stomakun” vepron ngjashëm me një gjumë të mirë për trurin, shpjegon ajo. Dr. Evans këshillon përdorimin racional të antibiotikëve vetëm sipas rekomandimit mjekësor, aktivitet fizik të rregullt, hidrimin e mjaftueshëm , si dhe menaxhimin e stresit (meditim, frymëmarrje e thellë), pasi stresi dëmton florën e zorrëve dhe nxit inflamacionin. Lodhja si pasojë e mungesës së hekurit ose vitaminës B12 Lodhja e pashpjegueshme mund të lidhet edhe me nivele të ulëta të hekurit, magnezit dhe vitaminës B12 . Këshillohet konsultë me mjekun dhe analiza laboratorike për të vlerësuar mungesat. Nëse konstatohet deficit (p.sh. hekur), planifikoni plotësimin e kontrolluar me mjekun. – Këto strategji janë më të besueshme sesa marrja e probiotikëve pa rregull. Bakteret “e mira” nuk do të mbijetojnë nëse ushqyerja bazë është e gabuar, thekson dr. Evans. shutterstock Tre forma të shpeshta të problemeve të stomakut që shterojnë energjinë Nëse shfaqen shqetësime të stomakut të shoqëruara me lodhje, duhet konsultë mjekësore dhe diagnostikë e përshtatshme. Më të shpeshtat janë: Infeksioni me Helicobacter pylori Bakter që shkakton dhimbje stomaku dhe pengon përthithjen e lëndëve ushqyese (p.sh. hekurit), të domosdoshme për energjinë. Zbulohet dhe trajtohet relativisht lehtë. Mund të përhapet brenda familjes; prandaj rekomandohet testim dhe trajtim i të gjithë anëtarëve kur njëri rezulton pozitiv. Infeksioni prek stomakun dhe duodenin, është shkak kryesor i gastritit dhe ulcerës dhe transmetohet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë ose ujit/ushqimit të kontaminuar. Mëlçia e dhjamosur (steatoza) Mëlçia është kyçe për rregullimin e energjisë dhe largimin e toksinave. Kur mbingarkohet me yndyrë, aftësia e saj për “pastrim” dhe furnizim energjie bie. Me kalimin e kohës, grumbullimi i yndyrës (>5% e indit të mëlçisë) mund të çojë në dëmtime serioze, deri në cirrozë . Kapsllëku kronik (opstipacioni) Shfaqet me jashtëqitje të rralla (më pak se 3 herë në javë), ngërçe, fryrje, ndjesi ngopjeje, dhimbje gjatë defekimit dhe lodhje . Rritni marrjen e ujit dhe fibrave, aktivizohuni fizikisht; nëse nuk ka përmirësim, kërkoni këshillë mjekësore. Kur duhet të paraqitemi urgjentisht te mjeku? Disa gjendje serioze shfaqen me lodhje të theksuar dhe kërkojnë vlerësim të menjëhershëm, si: zverdhja e lëkurës/syve , jashtëqitje që zgjojnë nga gjumi, vështirësi në gëlltitje , ndjesi bllokimi të ushqimit në kraharor, diarre e zgjatur , jashtëqitje e zezë ose e kuqe me erë metalike , mungesë lëndësh ushqyese , të vjella me gjak ose humbje e pavullnetshme peshe . Dr. Evans këshillon që personat mbi 45 vjeç , sidomos ata me histori familjare të kancerit të zorrës së trashë , të konsultohen për kolonoskopi , pasi zbulimi i hershëm e bën trajtimin më të suksesshëm dhe më të lehtë. /Telegrafi/