North West 12 vjeçe, debuton në Instagram pavarësisht kundërshtimeve të babait të saj Kanye

Vajza e madhe e Kim Kardashian, North West, ka hapur llogarinë e saj personale në Instagram, duke debutuar me një fotografi të stilizuar dhe mbishkrimin e thjeshtë: “Postimi i parë”. Në fotografinë e saj, 12-vjeçarja shfaqet me një bluzë Balenciaga, minifund të zi dhe aksesorë, duke bërë shenjë paqeje dhe me shprehje të qetë. Megjithëse biografia e llogarisë thekson se ajo “menaxhohet nga prindërit”, babai i saj, reperi Kanye West, ka qenë më parë kundër pranisë së fëmijëve në rrjetet sociale, shkruan DailyMail. Në vitin 2022, Kanye u shpreh publikisht se nuk do të lejonte që vajza e tij të përdorej nga TikTok, duke kërkuar që fëmijët të hiqeshin nga rrjetet sociale. Ky hap i North vjen pas disa postimeve të diskutueshme në TikTok, ku ajo shfaqej me tatuazhe dhe piercing të rreme, gjë që krijoi debate mes ndjekësve mbi përshtatshmërinë e përmbajtjes për moshën e saj. Pavarësisht polemikave, North tani duket e vendosur të ndërtojë prezencën e saj në Instagram, nën vëzhgimin e prindërve. /Telegrafi/