Po bie çmimi i naftës ruse shkaku i sanksioneve amerikane

Çmimet e naftës ruse vazhdojnë të bien nën presionin e sanksioneve amerikane, të cilat kanë ndërprerë flukset e eksportit drejt Indisë dhe Kinës. Çmimi i naftës bruto të Uralit, i transportuar nga porti i Novorossiysk në Detin e Zi, ra në 34.52 dollarë për fuçi që nga 16 dhjetori, afërsisht gjysma e nivelit të tij në fillim të vitit, raportoi faqja e lajmeve RBC, duke cituar të dhëna nga Argus Media. Në portin e Primorskut në Detin Baltik, nafta kryesore e eksportuar nga Rusia u tregtua me 36.07 dollarë për fuçi, shkruan themoscowtimes. Zbritjet për naftën bruto të Uralit arritën në 23–25 dollarë për fuçi në Novorossiysk dhe 24 dollarë për fuçi në portet baltike. Disa dërgesa të naftës Urals të destinuara për Kinën janë shitur me zbritje deri në 35 dollarë për fuçi, raporton Reuters, duke e çuar efektivisht çmimin e naftës nën 30 dollarë, niveli më i ulët që nga pandemia. Kompanitë ruse të naftës po ulin çmimet për të transportuar ngarkesat që rafineritë indiane po i refuzojnë gjithnjë e më shumë, citoi tregtarët Reuters. “Rusia po humb miliarda dollarë çdo muaj për shkak të sanksioneve të naftës”, tha Janis Kluge, studiues në Institutin Gjerman për Çështjet e Sigurisë Ndërkombëtare dhe shtoi se “zbritjet për naftën ruse janë rritur deri në 30 për qind dhe në disa raste mbi 50 për qind në krahasim me Brentin”. /Telegrafi/