Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se në kuadër të hetimeve intensive për kidnapimin e shtetasit të Kosovës, Milan Vukashinoviq, sot është arrestuar një person i dyshuar në Leshak. Sipas Sveçlës, arrestimi është kryer në një operacion të përbashkët mes Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. I arrestuari, me inicialet V.M., është ish-pjesëtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, i cili ishte integruar në Policinë e Kosovës sipas marrëveshjes së vitit 2013, nga e cila më pas kishte dhënë dorëheqje. Autoritetet dyshojnë se V.M. ka bashkëpunuar dhe ka mbështetur vazhdimisht strukturat e sigurisë së Serbisë, përfshirë edhe kidnapimin e Milan Vukashinoviq më 1 nëntor 2025, brenda territorit të Kosovës. Gjatë këtij kidnapimi, viktima ishte plagosur rëndë dhe aktualisht po trajtohet në një spital në Serbi. Sipas njoftimit, i dyshuari ka qenë në kontakt me strukturat e inteligjencës dhe ushtrisë së Serbisë, ka përgatitur të rinj serbë për trajnime në bashkëpunim me pjesëtarë të ushtrisë serbe, si dhe dyshohet se ka pasur dijeni për përgatitjet e sulmit terrorist në Banjskë. Ministri Sveçla ka theksuar se askush nuk do t’i ikë drejtësisë në Kosovë dhe se institucionet e sigurisë kanë kapacitet të plotë për të adresuar çdo kërcënim dhe për të zbardhur çdo krim. Ai shtoi se herët a vonë para drejtësisë do të dalin edhe personat përgjegjës që aktualisht strehohen në Serbi dhe shfrytëzohen nga atje për qëllime politike dhe të sigurisë.