Avokatët e ish-ministrit Fadil Ismajli kanë reaguar përmes një deklarate për media lidhur me kompensimin e një prone familjare të tij, e cila ishte shpronësuar në vitin 2014 për ndërtimin e autostradës, që është bërë objekt hetimi nga Prokuroria Speciale. Sipas deklaratës, z. Ismajli ka qenë pronar i një prone familjare që është shpronësuar në mënyrë të rregullt dhe ligjore, për çka ka pranuar kompensimin fillestar njësoj si qindra qytetarë të tjerë të prekur nga i njëjti proces. Më tej thuhet se gjatë viteve 2022–2023, me kërkesë të avokates së tij, z. Ismajli ka autorizuar inicimin e procedurës për kompensimin e pjesës së mbetur të parcelës, konkretisht 9.63 ari, e cila, sipas tyre, ka mbetur e dëmtuar nga shpronësimi dhe jashtë përdorimit. Kjo pjesë e tokës, sipas deklaratës, është e papërdorshme dhe praktikisht pa vlerë për shkak të pozicionit dhe pamundësisë për shfrytëzim. Avokatët theksojnë se kërkesa për kompensimin e pjesës së mbetur ka bazë të qartë ligjore dhe se raste të ngjashme janë të shumta në gjykatat e Kosovës. Ata sqarojnë se z. Ismajli ka përfituar në të njëjtën mënyrë si qytetarët e tjerë që kanë kaluar nëpër procedura identike, gjë që, sipas tyre, është lehtësisht e verifikueshme dhe e mbështetur me prova konkrete. Si rezultat i kësaj procedure, z. Ismajli ka pranuar mjetet e kompensimit në muajin dhjetor 2025, në mënyrë të ligjshme, përmes Thesarit të Kosovës dhe në bazë të një vendimi gjyqësor. Në deklaratë thuhet se vlerësimi i ligjshmërisë së vendimeve gjyqësore është kompetencë e institucioneve përkatëse dhe se në asnjë rrethanë nuk mund të implikohet përfituesi për vendimmarrjen e gjykatës. Avokatët theksojnë se z. Ismajli ka vepruar në mirëbesim dhe ka ndjekur rrugën ligjore, përfshirë pagesën e shpenzimeve për përfaqësim ligjor. Miliona euro dëm shtetit përmes tokave të shpronësuara, Prokuroria shpjegon rolin e ish-ministrit Fadil Ismajli si ndërmjetësues Po ashtu, ata mohojnë çdo lidhje të z. Ismajlit me personat e tjerë të dyshuar në këtë çështje, duke deklaruar se ai nuk ka pasur asnjë kontakt apo bashkëpunim me ta. Duke u bazuar në faktin se z. Ismajli rezulton të jetë i vetmi i kompensuar në këtë proces që ka pasur funksione të larta publike, avokatët vlerësojnë se trajtimi i çështjes në këtë formë krijon përshtypjen e një qasjeje selektive, e cila, sipas tyre, i ngjan më shumë një fushate të pabazuar sesa një vlerësimi objektiv të fakteve. Në fund, ata ritheksojnë se kjo çështje nuk ka asnjë lidhje me funksionin e z. Fadil Ismajli si ministër apo me ndonjë post tjetër publik që ai ka ushtruar, por ka të bëjë ekskluzivisht me një pronë personale familjare dhe një procedurë standarde ligjore kompensimi. Deklarata është nënshkruar nga avokatët Mehmet Berisha dhe Rafet Ferizi.