Musliu: SHBA paralajmëron Serbinë, koha e pandëshkueshmërisë ka përfunduar

Eksperti i sigurisë, Agim Musliu, ka deklaruar se Kongresi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka dërguar një mesazh të qartë lidhur me mundësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj zyrtarëve serbë, për shkak të përkeqësimit të gjendjes demokratike dhe veprimeve destabilizuese të Serbisë në rajon. Musliu ka theksuar se vlerësimet e institucioneve amerikane tregojnë se demokracia në Serbi është në gjendje shqetësuese, se zgjedhjet janë zhvilluar në kushte të padrejta dhe se niveli i dezinformimit është alarmant. Sipas tij, sanksionet e mundshme nuk duhet të kufizohen vetëm në çështjet demokratike, por duhet të lidhen edhe me përgjegjësinë e Serbisë për terrorizëm dhe sabotazh. Ai ka përmendur sulmin terrorist në Banjskë, ku, sipas Musliut, Milan Radoiçiq ka pranuar publikisht rolin e tij, ndërsa Serbia vazhdon të injorojë kërkesat ndërkombëtare për drejtësi. Po ashtu, Musliu ka përmendur edhe sulmin ndaj infrastrukturës kritike në Ibër-Lepenc, për të cilin Prokuroria e Kosovës ka ngritur aktakuzë me akuza të rënda për terrorizëm dhe spiunazh, si dhe dyshime serioze për lidhje me struktura kriminale nga Serbia. “Serbia nuk i dorëzon të dyshuarit, nuk bashkëpunon me organet e drejtësisë, dezinformon kundër Kosovës dhe NATO-s”, ka theksuar Musliu, duke shtuar se këto veprime e bëjnë të pashmangshëm hapin e radhës – vendosjen e sanksioneve ndaj Serbisë. Sipas tij, sanksionet duhet të lidhen drejtpërdrejt me përfshirjen e konfirmuar të Serbisë në sulmet terroriste në Banjskë dhe Ibër-Lepenc, si dhe me mosdorëzimin e terroristit Milan Radoiçiq./Telegrafi/