Tregu i makinave luksoze dhe ekzotike në Shtetet e Bashkuara, i cili aktualisht vlerësohet rreth 110 miliardë dollarë, pritet të njohë një rritje të ndjeshme në vitet e ardhshme, duke arritur nga 180 deri në 215 miliardë dollarë deri në vitin 2035. Kjo rritje, sipas një studimi të Boston Consulting Group dhe duPont Registry Group, po nxitet nga kërkesa gjithnjë e më e madhe për automjete me çmime të larta. Raporti tregon se segmenti me çmime nga 100 mijë deri në 170 mijë dollarë do të shënojë rritjen më të shpejtë, me shitje vjetore që pritet të rriten nga 6 deri në 8 për qind. Ndërkohë, makinat ultra-luksoze mbi këtë nivel çmimi do të vazhdojnë të rriten, por me një ritëm më të ngadaltë. Një rol kyç në këtë zgjerim luan tregu i makinave të përdorura luksoze, i cili pritet të rritet më shpejt se ai i makinave të reja, falë vlerës së qëndrueshme dhe jetëgjatësisë së këtyre automjeteve. Po ashtu, blerësit më të rinj, veçanërisht Millennialët dhe Gen Z, po ndryshojnë mënyrën e blerjes duke u mbështetur më shumë në kërkimet online dhe duke qenë më pak besnikë ndaj markave tradicionale. /Telegrafi/