Luftëtari shqiptar i MMA Eduard Drenica thotë se serbi Petar Jakovljevic e shpiku historinë kinse e kanë sulmuar katër persona vetëm që të mos del në ring. Vetëm katër orë pa nisur meçi, Drenica u njoftua se gjithçka është anuluar meqenëse Jakovjevic është në polici, me këtë të fundit që prentendoi në rrjetin social “Instagram” se ishte sulmuar nga katër persona. Në një intervistë për Telegrafi, luftëtari shqiptar komentoi prapaskenat, ku ndër të tjera deklaroi se ka mbetur i zhgënjyer. “E mora vesh katër orë para meçit, përmes një mesazhi nga ekipi i tij tek promotori. Reagimi im i parë ishte papërfytyrueshmëri dhe zhgënjim. Isha i gatshëm, i fokusuar dhe të shihja gjithçka të prishej në momentin e fundit ishte shumë zhgënjyese”. Drenica kreu të gjitha përgatitjet për ta bërë krenar Kosovën, pasi për të ishte më shumë se një meç. “Të gjitha përgatitjet ishin bërë, isha në formë të plotë, gati të jap maksimumin. Ky meç për mua kishte shumë kuptim, nuk ishte vetëm sport: unë përfaqësoja Kosovën dhe popullin tim. Të shihej i anuluar në momentin e fundit ishte një goditje e fortë, por nuk ndryshon vendosmërinë time”. View this post on Instagram A post shared by Eduard Drenica (@maverick_mma_) I pyetur mbi “justifikimin” e serbit se është sulmuar, ai shtoi se nuk është e vërtetë pasi gjatë matjeve e ka vërejtur se Jakovljevic ishte i frikësuar. “Personalisht nuk besoj në këtë justifikim. Gjatë matjeve e pashë në sy dhe pashë frikë. Sipas mendimit tim, ai e shpiku këtë histori për t’u tërhequr pa pranuar se kishte frikë dhe për të fituar kohë”. “A kishte politikë të përzier? Jo, për mua politika nuk ka lidhje. Kjo është sport dhe ajo që ndodhi lidhet me frikën dhe presionin brenda kafazit, jo me faktorë të jashtëm”. Drenica assesi nuk harroi t’i falënderonte tifozët për mbështetjen e madhe që i dhanë si dhe iu premtoi se do t’i bëjë krenar. “Tek tifozët e mi dua të them të mos shqetësohen: Vendosmëria ime nuk ka ndryshuar. Kam ndjerë mbështetjen tuaj dhe më ka dhënë edhe më shumë forcë. Vazhdoni të besoni tek unë dita e duhur do të vijë dhe do t’ju jap shfaqjen që e meritoni”. Në fund, ai nënvizoi se ëndërron të hyjë në UFC për ta përfaqësuar Kosovën në nivelin më të lartë. “Synimi im mbetet i qartë të rritem si fighter, të hyj në UFC dhe të përfaqësoj Kosovën në nivelin më të lartë. Çdo pengesë më bën më të fortë dhe do të vazhdoj të punoj për të arritur qëllimin tim pa kompromis”, përfundoi ai për Telegrafi. View this post on Instagram A post shared by Eduard Drenica (@maverick_mma_) Ndërkohë, Drenica ka zhvilluar pesë meçe deri më tani – ku ka regjistruar tre fitore dhe dy humbje./ Telegrafi