Shqipëria e fundit në rajon për mbështetjen e bujqësisë

“Instrumentet janë: buxheti i shtetit, Agjencia e Mbështetjes së Zhvillimit Rural, agro-kredia dhe linja e re e financimit të Bankës Shqiptare për Zhvillim”, ka deklaruar kryeministri Edi Rama në datë 15 dhjetor 2025. Një buxhet më i lartë, që do të pasqyrohet në më shumë subvencione. Rikthimi i rimbursimit 10% për fermerët për faturat që dorëzojnë te grumbulluesit apo përpunuesit, si edhe Banka Shqiptare për Zhvillim, e cila pritet të nisë funksionimin këtë vit, sipas qeverisë pritet t’i ndryshojnë “ngjyrën” një sektori që vitet e fundit ka humbur ndikimin që ka pasur në ekonomi. Por a ndajnë të njëjtin mendim ekspertët e fushës? “E gjithë mbështetja për bujqësinë për vitin që kaloi ka qenë rreth 50 milionë euro, një shifër shumë e vogël krahasuar me vendet e rajonit. Maqedonia e Veriut ka 120 milionë euro, Kosova 100 milionë euro, ndërsa Serbia gati 300 milionë euro mbështetje nga buxheti i shtetit. Pra, jemi ende në shifra të ulëta”, tha eksperti i bujqësisë Gjok Vuksani. Rreth 10 mijë fermerë që janë të pajisur me NIPT pranë tatimeve do të mund të kryejnë dy herë në vit procesin e rimbursimit për çdo faturë që do të dorëzojnë te grumbulluesit. “Si ide mund të jetë diçka pozitive për uljen e kostove të prodhimit bujqësor, por djalli qëndron te detajet. Në radhë të parë, janë përjashtuar 30–40% e fermerëve që shesin në treg të lirë”, shtoi Vuskani. E fundit, por me një rëndësi të lartë, është Banka Shqiptare për Zhvillim, e cila sipas kryeministrit Rama pritet të hapet vitin e ardhshëm dhe do të ofrojë kredi me norma interesi shumë të ulëta për financimin e fermerëve, ku shteti do të jetë aksioner me 51%. “Unë mendoj se duhen politika më specifike, siç i kanë vendet e rajonit, ku mund të përfshihet subvencionimi i normës së interesit apo garancia për kolateralin nga shteti. Kjo do të bënte që fermeri të mos ketë frikë për të marrë kredi”, tha eksperti. Sipas të dhënave, rreth 35% e të punësuarve në Shqipëri merren me bujqësi, ose 1 në 3 persona siguron jetesën duke punuar në sektorin bujqësor./Vizion+