Vrasja e Liridona Ademajt, vazhdon sot gjykimi ndaj Naim Murselit dhe dy të tjerëve

Sot në orën 09:30 po mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të cilët akuzohen për vrasjen e Liridona Ademajt. Seanca do zhvillohet në Gjykatën Themelore ku pritet shqyrtimi i provave dhe procedurave lidhur me aktakuzën e ngritur nga Prokuroria. Të akuzuarit po përballen me drejtësinë nën dyshimet për përfshirje në këtë rast të rëndë penal, i cili ka ngjallur interes të madh publik. Seanca e kaluar e planifikuar të mbahej më 12 dhjetor u anulua dhe e njëjta u vendos që të zhvillohet sot. Raporti i Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës ka konstatuar se Naim Murseli, i akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt, nuk ka pasur çrregullime apo sëmundje mendore në kohën e kryerjes së veprës penale. Ndryshe në seancën fillestare të mbajtur më 31 janar 2025, Naim Murseli u deklarua i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademajt, Granit Plava nuk u deklarua rreth fajësisë, kurse Kushtrim Kokalla tha se nuk deklarohet pa u konsultuar me mbrojtjen. Ndërsa, fajtor u deklarua i akuzuari Tom Dodaj. Ky i fundit, pasi pranoi fajësinë u dënua me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë. Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt në të cilën thuhet se Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro. /Telegrafi/