Shqipëria dhe strategjia e re amerikane e sigurisë

Zakonisht, dokumentet zyrtare që kalohen pa u vënë re, harrohen në rafte të pluhurosura institucionesh. Mirëpo, ky s’është rasti me Strategjinë e re të Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, të sapopublikuar, e cila tregon se bota po ndryshon kurs. Jo sepse sjell risi konceptuale të panjohura, por sepse e thotë troç atë që prej kohësh kemi nuhatur në korridoret amerikane të pushtetit, që “daja Semi” po largohet nga universalizmi moral dhe po rikthehet te nacionalizmi pragmatik. Ditët kur ShBA-ja mbante peshën e rendit botëror, si “Atlasi i kërrusur”, duket se me Trumpin kanë marrë fund. Evropa aty përmendet me një ton të ftohtë, pothuajse teknik, duke u distancuar nga retorika e deritanishme për “vlerat e përbashkëta” apo “komunitetin transatlantik”. Përmes “Angazhimit të Hagës”, vendet e NATO-s duhet të shpenzojnë pesë përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për mbrojtjen dhe rimëkëmbjen e industrisë ushtarake. Amerika nuk kërkon më vetëm shpërndarje të barrës, por zhvendosje të saj, duke pritur që aleatët të mbulojnë vetë rajonet e tyre. Për vende të vogla si i yni, që ka përfituar bollshëm nga bujaria amerikane, ky ndryshim është ekzistencial dhe alarmues. Për tri dekada, Shqipëria ka jetuar me një avantazh të heshtur si aleat i vogël simpatik, i bindur, pa probleme, pa ambicie destabilizuese; një vend që votonte gjithmonë siç duhej, që ofronte mbështetje simbolike kurdoherë që i kërkohej dhe që nuk krijonte telashe. Në një botë liberale dhe idealiste kaq mjaftonte, por në botën e sotme kjo s’vlen më. Strategjia amerikane është brutalisht e qartë: aleatët si Shqipëria duhet të kontribuojnë më shumë dhe në mënyrë të matshme në sigurinë kolektive; të mbrojnë vetë territorin dhe hapësirën e tyre strategjike; të mos funksionojnë më si barrë apo si nevojtarë të përhershëm të mbrojtjes amerikane; të mos tolerojnë që territori i tyre të kthehet në bazë të krimit të organizuar, korridore trafiku apo zona gri që minojnë stabilitetin rajonal dhe mbi të gjitha, të mos lejojnë që infrastruktura kritike, portet, energjia, komunikimet dhe asetet strategjike të bien nën ndikimin apo kontrollin e fuqive rivale që sfidojnë rendin euroatlantik dhe sigurinë e përbashkët. Për ne, kjo do të thotë se retorika proamerikane nuk mjafton më dhe se politika e jashtme e Shqipërisë nuk mund të vazhdojë të sillet si një zgjatim i pushtetit personal. Për vite me radhë, diplomacia është përdorur për mbijetesë politike, për të mbuluar dështime të brendshme dhe për të shitur jashtë vendit një besnikëri të rreme, të kufizuar në deklarata e gjeste simbolike. Një diplomaci që kërkon imunitet, blen heshtje dhe prodhon avantazh elektoral duke shfrytëzuar ndjenjat proamerikane të shoqërisë shqiptare nuk është politikë e jashtme, por keqpërdorim i aleancës. Dokumenti i ri amerikan e godet drejtpërdrejt këtë model, edhe kur nuk e përmend Shqipërinë me emër. Madje, reagon kundër praktikave që degradojnë institucionet demokratike, duke kërkuar përgjegjësi për ata që abuzojnë me pushtetin. Strategjia e bën të qartë se kompetenca dhe merita duhet të jenë udhërrëfyesit e bashkëpunimit, duke mos lënë hapësirë për liderë që kërkojnë “imunitet” apo “avantazh elektoral” në këmbim të lojalitetit sipërfaqësor e simbolik. Në këtë kontekst, nga politika e jashtme shqiptare kërkohet një rikthim tek elementet themelore, që janë interesi i shtetit dhe i kombit. Ajo duhet të jetë e qëndrueshme, e parashikueshme dhe e ndërtuar mbi logjikë strategjike, jo mbi nevoja personale kalimtare të udhëheqësit. Vetëm kështu marrëdhëniet ndërkombëtare nuk shndërrohen në instrument propagande, por në kapital real politik dhe kombëtar. Për të qenë më konkret, s’mjafton të thuash se je “partneri më i mirë”, por kërkohet të shpenzojmë pesë përqind të PBB-së për mbrojtjen. Kjo është veçanërisht e vështirë te ne, ku dihet se të gjitha investimet publike për vitin 2024 ishin në masën 5.3 përqind të PBB-së, ndërkohë që buxheti është tejngarkuar nga fryrja e numrit të rrogëtarëve patronazhistë dhe nga kontratat abuzive PPP me biznesmenë oborrtarë të pushtetit. Për më tepër, në aspektin e rritjes së investimeve në mbrojtje, ato nuk duhet të orientohen nga babëzia se si fondet mund të vidhen më lehtë, as nga ambicie të tejkaluara për të pasur një ushtri të kompletuar si dikur, por nga synimi për të përmbushur nevojat imediate të vendit dhe për t’u bërë një aleat i vlefshëm për ShBA-në dhe NATO-n. Siguria e kufijve, migracioni dhe krimi transnacional janë një tjetër shtyllë qendrore e Strategjisë dhe këtu dihet që Shqipëria është pjesë domethënëse e zinxhirit të trafikut dhe migracionit drejt Bashkimit Evropian. Kjo do të thotë se, kontrolli real i kufijve, çmontimi i rrjeteve kriminale dhe mbyllja e korridoreve të trafikantëve nuk janë thjesht detyra ndaj qytetarëve të saj dhe BE-së, por demonstrim besueshmërie ndaj ShBA-së. Edhe pse Ballkani nuk merr vëmendje të drejtpërdrejtë në Strategji, është e nënkuptueshme logjika që rajonet “sekondare” duhet të stabilizohen vetë, pa konsumuar burime amerikane. ShBA-ja s’do më që të rikthehet në Ballkan si “menaxher krize”. Në këtë prizëm, Shqipëria nuk mund të mjaftohet me neutralitet pasiv, por duhet të jetë garantuese e stabilitetit. Tirana zyrtare duhet së pari të rikthejë ndikimin tek bashkëkombësit në shtetet fqinje përmes marrëdhënieve të qëndrueshme me lidershipin shqiptar atje, të bazuara në interesa kombëtare dhe jo në kimi apo kalkulime personale. Shqipëria ka potencialin të shndërrohet në kampione rajonale të stabilitetit, pikërisht në një moment kur ShBA-ja kërkon partnerë që e parandalojnë krizën. Një tjetër element me rëndësi në Strategji janë portet, që nuk trajtohen më si nyje tregtare, por si instrumente të fuqisë kombëtare, që lidhin sigurinë energjetike, mbrojtjen dhe zinxhirët globalë të furnizimit. Aty theksohet nevoja për mobilitet të shpejtë, shpërndarje të kapaciteteve dhe pika të sigurta mbështetjeje në Mesdhe. Në dritën e këtyre zhvillimeve, mosshfrytëzimi i plotë i pozicionit gjeografik të Shqipërisë për ndërtimin e një porti të thellë të klasit të parë përbën një dështim strategjik. Një port i tillë, me mbi 20 metra thellësi, do lejonte operimin pa kufizime të anijeve me zhytje të madhe, si anijet LNG (gaz natyror i lëngshëm), mega-anijet e kontejnerëve dhe luftanije të tonazhit të lartë, përfshirë aeroplanmbajtëset. Ky përcaktim nuk është çështje dëshire, por bazohet në batimetri dhe kapacitet natyror. Çdo njeri që ka njohuri bazë mbi lundrimin ose zhytjen e di se vendi ynë ka një gji natyror jashtëzakonisht të thellë në Vlorë, ku thellësitë arrihen shumë pranë vijës bregdetare pa pasur nevojë për dragim apo dallgëthyes. Potenciali për thellësi të mëdha natyrore ekziston edhe në pjesën veriore të Shëngjinit. Megjithatë, Shqipëria po investon portin kryesor në moçalin e Porto Romanos, duke shpërdoruar një avantazh natyror që, në logjikën e re amerikane, do të përkthehej në fleksibilitet logjistik, mbështetje për NATO-n dhe peshë reale strategjike në Mesdhe. Strategjia amerikane shkon përtej LNG-së dhe flet hapur për energjinë si armë gjeopolitike, si instrument për dobësimin e rivalëve dhe forcimin e aleatëve. Shqipëria këtu nuk duhet ta shohë veten thjeshtë si konsumator apo vend tranziti, por si platformë energjetike amerikane në Ballkan. Këtu ekziston potencial i madh për tërheqjen e investimeve strategjike amerikane në energji, si projekti i CWP Global për energji hibride në verilindje të vendit, i cili prej vitesh po zvarritet në labirinte burokratike. Projekte të tilla nuk janë thjesht çështje rryme, por instrumente ndikimi strategjik. Në fushën e infrastrukturës, prioritet absolut duhet të ishte përshpejtimi i punimeve për përfundimin e Korridorit VIII, i cili, siç e kanë nxjerrë në pah edhe manovrat Defender, përfaqëson rrugën më të shkurtër dhe më të sigurt për mbështetjen e aleatëve lindorë në rast kërcënimi nga ekspansioni rus. Ky korridor nuk sjell vetëm zhvillim rajonal, por do shërbente si arterie strategjike e NATO-s, që lidh Adriatikun me Detin e Zi dhe do ulte varësinë nga itinerare më të gjata apo më të ekspozuara. Për ShBA-në, funksionalizimi i Korridorit VIII nënkupton kohë reagimi më të shpejtë, kosto më të ulëta logjistike dhe siguri më të madhe operative; për Shqipërinë, ai përfaqëson kalimin nga periferi gjeografike në nyje të domosdoshme të arkitekturës euroatlantike të sigurisë. Prioritete të tjera strategjike amerikane me implikime të drejtpërdrejta edhe për ne janë pengimi aktiv i ndikimit kinez dhe mbrojtja apo shtimi, i interesave amerikane në vendin tonë. Sot Kina është partnerja jonë e dytë tregtare, ndërsa shkëmbimet tregtare dhe investimet amerikane lënë për të dëshiruar. Përveç projektit të sipërpërmendur të CWP Global, nuk ka pothuajse asnjë prani serioze amerikane. Edhe projekti me Bechtel për hidrocentralin e Skavicës dështoi të gjejë financim real. Në këto rrethana, qeveria duhet të mendojë më pragmatikisht, duke hequr dorë nga ambicia e një projekti gjigant të vetëm dhe duke kaluar drejt një zgjidhjeje më realiste me ndërtimin e dy ose tre hidrocentraleve të reja të mesëm në Drinin e Bardhë. Po ashtu, projektet madhore infrastrukturore (autostrada, hekurudha, aeroporte dhe korridore strategjike) nuk duhet të mbeten peng i bizneseve vendase të dyshimta me lidhje politike, por duhet t’u besohen kompanive amerikane me reputacion ndërkombëtar si Bechtel, të cilat për ShBA-në përfaqësojnë jo vetëm kapacitet teknik, por edhe garanci strategjike dhe besueshmëri politike. Në vijim të infrastrukturës, doktrina amerikane e tregon qartë se teknologjitë e avancuara të komunikimit, inteligjenca artificiale dhe kibernetika nuk përbëjnë më një sektor dytësor, por një front të mirëfilltë sigurie. Duke pasur parasysh hakerimin iranian dhe skandalet e fundit të AKShI-t, këtu kërkohet angazhim serioz shtetëror, ndërtim real kapacitetesh dhe përgjegjshmëri institucionale. Nuk do të tolerohej vazhdimi i grabitjes së fondeve publike nën emra të rinj dhe “reforma” fiktive. Si përmbledhje, epoka e aleatit simbolik ka mbaruar dhe Shqipëria ose kthehet në garantuese reale të stabilitetit dhe interesave amerikane në rajon, ose rrezikon të mbetet një emër pa peshë në hartën strategjike. Në një botë ku Amerika kërkon aleatë që sjellin vlerë dhe jo justifikime, Shqipëria duhet më në fund të sillet si shtet që meriton besim e jo si vend që pret mëshirë. Strategjia e bën të qartë se aleancat s’trashëgohen, por sprovohen çdo ditë, dhe për Shqipërinë ky testim tashmë ka filluar.