Nga: Jordana Timerman / The Guardian (titulli: Reward countries that toe the line, punish those that don’t: that’s how Trump is exerting control in Latin America ) Përkthimi: Telegrafi.com Për një brez të tërë, Amerika Latine ka qenë vend me stabilitet të paqëndrueshëm. E karakterizuar në aspektin sipërfaqësore prej protestave, lëkundjeve politike dhe skandaleve spektakolare, pjesa më e madhe e rajonit, që prej demokratizimit në vitet 1980-‘90, ka mbetur kryesisht demokratike dhe pa luftëra mes shtetesh. Edhe pse e plagosur nga dhuna e grupeve të armatosura dhe organizatave kriminale gjithnjë e më të fuqishme, ajo, në përgjithësi, e ka justifikuar nofkën që ia ka vënë vetes si “zonë paqeje”. Kjo është arsyeja pse ky vit është ndier aq tronditës. Gjatë gjithë vitit 2025, vitit të parë të mandatit të dytë të Donald Trumpit, analistët kanë analizuar në mënyrë obsesive mundësinë e ndërhyrjeve ushtarake amerikane në një hemisferë që dikur përkufizohej nga mbrojtja e bashkuar e sovranitetit kombëtar. Por, fiksimi për të kuptuar nëse presioni në rritje i Uashingtonit ndaj Nicolás Maduros paralajmëron një pushtim fizik të Venezuelës, ka larguar vëmendjen nga historia e vërtetë: ndryshimi më i madh drejt ndërhyrjes së drejtpërdrejtë tashmë ka ndodhur - dhe është përballur me shumë pak rezistencë. Më shumë se 100 persona janë vrarë në sulmet detare amerikane të cilat ekspertët i përshkruajnë si ekzekutime jashtëgjyqësore, dhe kundërshtimet më të forta nuk kanë ardhur nga presidentët e Amerikës Latine apo nga organizatat rajonale, por nga Kongresi amerikan. Uashingtonit nuk i nevojitet pushtimi për të përmbysur rendin e hemisferës; Trumpi tashmë është bërë qendra e re e gravitetit. Ai e ka riformësuar fuqinë amerikane me një rikthim perandorak që nuk shqetësohet më për narrativën e “së mirës më të madhe” të cilën Uashingtoni dikur e përdorte për të justifikuar veprimet e veta. E ashtuquajtura doktrinë Donroe vepron haptazi si një regjim disiplinor - transaksional, ndëshkues, i thjeshtë - që është në përputhje të përkryer me lëvizjet politike të hemisferës. Ndikimi i Trumpit tani është aq dominues, saqë vetë zgjedhjet fitohen ose humbasin prej tij - apo më saktë, nga kandidatët që ai zgjedh. Në garën presidenciale të Hondurasit, mbështetja e tij për Nasry Asfuran dhe kërcënimet për të ndërprerë ndihmën nëse votuesit zgjedhin ndryshe, u bënë qendrore për fushatën, duke i bërë jehonë ndërhyrjes së tij në zgjedhjet parlamentare të Argjentinës në tetor. Veprimet të cilat dikur do të kishin shkaktuar zhurmë, tani kalojnë si gjëra të zakonshme - përveç te një rreth i ngushtë ekspertësh të indinjuar. Ky peizazh mbahet bashkë nga një metodë qeverisjeje që ndërthur paqëndrueshmërinë, përjashtimin dhe shpërblimin. Qasja e Trumpit është më fleksibile dhe më e llogaritur sesa sugjeron retorika e tij. Njëzetë e tetë sulmet vdekjeprurëse detare bashkëjetojnë me lëshime të papritura, si heqja e tarifave ndaj Brazilit pasi ai dështoi të ndikonte te gjykatat që trajtonin çështjet e Jair Bolsonaros. Mospërputhja është strategjia: ajo çan koordinimin, krijon varësi dhe i detyron qeveritë drejt vendimmarrjeve reaktive. Një nga mjetet më të fuqishme të administratës ka qenë zgjerimi i përjashtimeve - zonave ku rregullat e zakonshme nuk vlejnë më. Migrantët ishin kategoria e parë, të zhveshur nga mbrojtjet ligjore. Pastaj erdhën të deportuarit të dërguar në vende të treta përmes marrëveshjeve të improvizuara; të dyshuarit për trafik droge të vrarë në operacione jashtë kufijve; dhe, tani Venezuela, ku sulmet e paligjshme detare kanë për shënjestër një regjim të izoluar në aspektin ndërkombëtar. Me shumë pak të gatshëm për të mbrojtur Maduron, reagimi i zbehtë ndaj dhjetëra vdekjeve ka ripërcaktuar në heshtje kufijtë e normave të cilat Uashingtoni mund t’i shkelë pa pasoja. Çdo përjashtim gdhend një normalitet të ri. Nën Trumpin, rajoni është ndarë në mënyrë të theksuar: aleatë të bindur dhe armiq ideologjikë. Liderët si Nayib Bukele i El Salvadorit, Javier Milei i Argjentinës dhe Daniel Noboa i Ekuadorit janë rreshtuar ngushtësisht me Uashingtonin dhe janë shpërblyer me financime, bashkëpunim në siguri dhe favor diplomatik. Paraguai dhe Bolivia po përpiqen t’i ndjekin me shpejtësi. Vendet e Karaibeve dhe Amerikës Qendrore kanë lejuar zbatimin e kontrolleve të migracionit, vendosjen e bazave ushtarake apo koncesione në siguri, vetëm për të qëndruar në favorin e Uashingtonit. Në këtë kontekst, rezistenca më efektive ndaj politikave të Trumpit ka qenë kombëtare dhe diplomatike, jo rajonale. Në fakt, të vetmet vende që kanë arritur një kundërshtim pjesërisht të suksesshëm janë Brazili dhe Meksika. Udhëheqësit e tyre, Luiz Inácio Lula da Silva dhe Claudia Sheinbaum - kundërshtarë ideologjikë të Trumpit - praktikojnë një formë të rezistencës pragmatike: pa përplasje të hapura, por as rreshtim. Pas muajve të tërë me përpjekje të dështuara për të ndikuar në sistemin gjyqësor të Brazilit për të liruar Bolsonaron, Trumpi u detyrua të ulej në negociata me Lulan dhe hoqi dorë nga tarifat dhe sanksionet ndaj një gjykatësi të Gjykatës Supreme. Sheinbaumi ka kultivuar rolin e “pëshpëritëses së Trumpit”: ajo kombinon bashkëpunimin në çështjet e migracionit dhe tregtisë, me gjeste simbolike për politikat ndaj drogës dhe një refuzim të fortë diskursiv ndaj çdo ndërhyrjeje në sovranitetin meksikan - të gjitha këto duke shmangur sulmet personale që do të mbyllnin kanalet diplomatike. Këto strategji funksionale janë në kontrast të thellë me ballafaqimin steril të ndjekur nga Gustavo Petro i Kolumbisë. Petro ilustron dinamikën e kundërt. Duke u përballur drejtpërdrejt me Trumpin, ai e ekspozoi qeverinë e tij ndaj masave ndëshkuese, pa ndryshuar sjelljen e Uashingtonit - një bast i rrezikshëm për të forcuar mbështetjen e brendshme, por që nxjerr në pah një aksiomë të re rajonale: rezistenca e zhurmshme pa mbështetje kolektive, tani është një strategji e humbur. Trumpi madje e ka veçuar Kolumbinë si një front të mundshëm të ri në luftën e tij kundër “narkoterrorizmit” - një etiketë e lakueshme dhe disiplinuese që mund të përdoret për të justifikuar ndërhyrjen ushtarake të ShBA-së në territore të tjera të rajonit. Ndërkohë, janë dobësuar institucionet që dikur mbështesnin diplomacinë rajonale. Janë shembur vazhdimisht përpjekjet për të negociuar një tranzicion në Venezuelë - së fundmi pas zgjedhjeve të vitit 2024, megjithëse Sheinbaumi dhe Lula së fundmi janë ofruar të ndërmjetësojnë. Samiti i Komunitetit të Shteteve të Amerikës Latine dhe Karaibeve (CELAC) me BE-në, në nëntor, shmangu të dënonte sulmet amerikane. Samiti i Amerikave, i planifikuar për këtë muaj, u anulua krejtësisht. Thirrja e javës së kaluar e Sheinbaumit për veprim nga OKB-ja, dukej si një formalitet - gjëja e duhur për t’u thënë në një moment tensioni, por me pak gjasa për ndikim praktik. Nëse ka ndonjë gjë, kjo theksoi se sa të dobëta janë bërë organet shumëpalëshe në klimën e tanishme diplomatike. E majta, dikur një kundërpeshë morale ndaj fuqisë amerikane në hemisferë, ka humbur busullën. Vala rozë dikur ofronte një gjuhë të përbashkët që bashkonte nacionalizmin, përfshirjen sociale dhe anti-imperializmin në një projekt koherent politik. Sot ai fjalor është i copëtuar; energjia politike që e mbante atë gjallë është shuar si në nivel kombëtar, ashtu edhe rajonal. Politika e jashtme trumpiste ka të njëjtin ton me mesazhin fitues të së djathtës ekstreme në politikën kombëtare të rajonit. Ajo ushqehet nga zhgënjimi me korrupsionin, pasigurinë dhe ngërçin institucional, duke ofruar një repertor - rend, autoritet, veprim - që për shumë shtresa të shoqërisë tingëllon më i besueshëm se thirrjet për përfshirje apo solidaritet. Kontrasti me 20 vjet më parë është i madh. Në vitin 2005, qeveritë e valës rozë, të forta në aspektin elektoral dhe ideologjikisht të sigurta, u mblodhën në Mar del Plata të Argjentinës për të rrëzuar Marrëveshjen për Tregtinë e Lirë të Amerikave të George W. Bushit. Anti-imperializmi dikur përbënte gramatikën e përbashkët politike të së majtës latino-amerikane. Ai konsensus është zhdukur. Në një sondazh të fundit nga Bloomberg / Atlas , 53 përqind e të anketuarve në Amerikën Latine thanë se do të mbështesnin ndërhyrjen ushtarake të ShBA-së për të rrëzuar Maduron. Është vetëm një pikë e vetme e të dhënave, por mbërthen një transformim më të gjerë: rajoni nuk beson më në narrativën kolektive që dikur frenonte Uashingtonin. Qëndrimi i ripërtërirë perandorak i Trumpit po rezulton i suksesshëm jo vetëm për shkak të forcës imponuese të ShBA-së, por sepse e majta e Amerikës Latine nuk të bind më. Ndikimi i tij buron po aq nga rraskapitja ideologjike e së majtës sa edhe nga fuqia e Uashingtonit. Politikat e rajonit janë zhvendosur në mënyrat që shkojnë përkrah avancimit të Trumpit dhe që ia hapin rrugën atij - dhe ai është treguar i shpejtë për ta konsoliduar atë terren të ri. /Telegrafi/