Gjatë ditëve të fundit, pjesa më e madhe e Kosovës, veçanërisht viset e ulëta përgjatë luginave lumore, po përjeton prezencë të shtuar të mjegullës. Mjegulla është një dukuri meteorologjike që formohet mbi sipërfaqen e tokës, në pjesën e poshtme të atmosferës. Ajo ndikohet nga lagështia relative e ajrit, temperaturat e ulëta dhe lëvizjet e vogla të ajrit. Meteorologët e klasifikojnë mjegullën në tri nivele: Mjegull e dendur Mjegull e mesme Mjegull e rrallë Sipas statistikave të Observatorëve Meteorologjikë në Kosovë, mesatarisht regjistrohen rreth 26 ditë me mjegull në vit. Numri më i lartë i ditëve me mjegull është regjistruar në Prishtinë (30 ditë), pasuar nga Prizreni (29 ditë), Peja (23 ditë) dhe Ferizaji (21 ditë). Mjegulla paraqitet më shpesh gjatë muajve dhjetor – shkurt, duke përbërë rreth 57% të rasteve vjetore. Kjo dukuri meteorologjike ndikon në sigurinë e komunikacionit dhe kërkon kujdes të shtuar nga drejtuesit e mjeteve, sidomos gjatë orëve të mëngjesit dhe në mbrëmje. / Telegrafi /