A janë të sigurta ndërtesat në Kosovë? Hoxha flet për cilësinë e ndërtimit

Cilësia e ndërtimit dhe siguria strukturore e objekteve banesore në Kosovë mbetet një nga temat më të diskutuara në opinionin publik, veçanërisht në periudhën e rritjes së intensitetit të ndërtimeve. Në “Përballje Podcast”, Faton Hoxha, kryetar i Shoqatës së Ndërtuesve të Kosovës, ka deklaruar se ndërtimet në Kosovë realizohen mbi bazë të projekteve statike dhe mbikëqyrjes profesionale, duke theksuar se nuk ka interes që të kursehet në konstruksion. “Asnjë ndërtim nuk bëhet pa projekt statik dhe pa mbikëqyrje. Në strukturë askush nuk kursen, sepse struktura është baza e objektit”, tha Hoxha. Sipas tij, çdo objekt që pajiset me leje ndërtimore duhet të kalojë nëpër procedura teknike të detyrueshme, përfshirë analizat statike dhe kontrollin profesional gjatë fazave të ndërtimit. “Ndërtuesi mund të ketë dilema estetike ose funksionale, por jo strukturore. Struktura është çështje sigurie dhe përgjegjësie”, u shpreh ai në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu. - YouTube www.youtube.com Hoxha theksoi se perceptimi për mungesë cilësie shpesh lidhet me elemente dytësore të objektit, e jo me sigurinë bazë ndërtimore. “Problemet që mund të shfaqen janë më shumë në fasadë, izolim apo detaje të brendshme, por jo në konstruksionin e objektit”, tha ai shkruan Telegrafi. Ai shtoi se ndërtuesit janë të vetëdijshëm se çdo kompromis në cilësi, veçanërisht në strukturë, paraqet rrezik ligjor dhe profesional. Në përmbyllje, Hoxha vlerësoi se cilësia e ndërtimit duhet të shihet në raport me respektimin e standardeve teknike dhe mbikëqyrjen profesionale, duke theksuar se siguria strukturore e objekteve nuk vihet në diskutim ./Telegrafi/.