Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, ka aprovuar padinë e OJQ-së Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), duke e shpallur të paligjshëm vendimin për zgjedhjen e Kryetarit të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), të datës 17 janar 2025. Lajmin e ka bërë të ditur avokati Ardian Bajraktari, i cili ka theksuar se vendimi i gjykatës konfirmon shkeljet ligjore gjatë procesit të vendimmarrjes. “Sot e pranova vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin është aprovuar padia e IKD-së dhe është deklaruar i paligjshëm vendimi për zgjedhjen e Kryetarit të KPM-së,” ka deklaruar Bajraktari. Sipas tij, aktgjykimi rikonfirmon rëndësinë e respektimit të ligjit në proceset institucionale. “Ky vendim konfirmon shkeljet ligjore në procesin vendimmarrës dhe rikonfirmon rëndësinë e respektimit të parimit themelor të ligjshmërisë gjatë marrjes së vendimeve të tilla,” ka shtuar ai. Vendimi i gjykatës pritet të ketë ndikim në funksionimin dhe vendimmarrjen e ardhshme të Komisionit të Pavarur të Mediave. /Telegrafi/