Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, vazhdon ndarjen e çmimit tradicional “Ylli i Javës”, i cili i dedikohet futbollistit më të dalluar të javës në Superligën e futbollit kosovar. Për javën e tetëmbëdhjetë të këtij edicioni, ky çmim i është ndarë futbollistit të FC Ferizajt, Betim Haxhimusa, i cili pati një paraqitje individuale shumë të mirë për skuadrën e tij gjatë 90 minutave të ndeshjes, duke shënuar dy gola të vlefshëm për tri pikë në ndeshjen kundër KF Llapi, e cila përfundoi me rezultat 2:1. Vlerësimi është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit. Pasi mori këtë çmim, Haxhimusa u shpreh i lumtur që u vlerësua si lojtari më i mirë i javës. “E kemi përgatitur ndeshjen shumë mirë, duke u fokusuar në pikat e forta të KF Llapi. Ky ka qenë një rezultat shumë i nevojshëm për ne, pasi vinim nga një seri negative. Me trajnerin e ri dhe me filozofinë e tij jemi përshtatur dhe besoj që në stinorin e ri do të kemi vetëm rezultate pozitive". "Është kënaqësi e madhe të shpallem më i miri i xhiros së 18-të, për këtë i falënderoj bashkëlojtarët, stafin e trajnerëve, komisionin që më përzgjodhi dhe familjen time për përkrahjen.” tha ai për faqen zyrtare të FFK-së. /Telegrafi/