Kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka kritikuar qeverinë për rënien e fuqisë blerëse të qytetarëve gjatë katër viteve të fundit, duke theksuar se paga prej 500 eurosh sot vlen ndjeshëm më pak se në vitin 2021. Sipas Rukiqit, me një pagë prej 500 eurosh në vitin 2021 ishte e mundur të blihej një shportë e plotë ushqimore, ndërsa në vitin 2025, e njëjta shumë mbulon shumë më pak shpenzime, ku pjesa më e madhe shkon për pagesën e faturave të energjisë elektrike. Ai ka vlerësuar se vlera reale e pagës prej 500 eurosh ka rënë në rreth 350 euro, çka sipas tij nënkupton humbje prej rreth 30 për qind të fuqisë blerëse, apo rreth 150 euro më pak në muaj për qytetarët. Rukiqi ia ka atribuar këtë situatë, siç është shprehur, “paaftësisë së qeverisë gjatë katër viteve të fundit”, duke bërë thirrje për ndryshim në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Në fund të reagimit të tij, kandidati i LDK-së ka ftuar qytetarët të votojnë për këtë subjekt politik, duke mbështetur kandidaturën e Lumir Abdixhikut dhe të tijën në zgjedhjet parlamentare. / Telegrafi /