Lekaj merr përkrahje të madhe nga bashkëvendësit e tij në Novosellë

Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj ka deklaruar se në Novosellë ka marrë përkrahje të fuqishme nga bashkëvendësit e tij për zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke e cilësuar këtë mbështetje si një ndjenjë të veçantë dhe motivuese. Sipas Lekajt, besimi i qytetarëve të Novosellës për ta përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës është një përgjegjësi e madhe dhe një shtysë për angazhim të mëtejmë politik. “Është ndjenjë e veçantë të jem krah bashkëvendësve të mi dhe të kem besimin e tyre për t’i përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës. Faleminderit nga zemra Novosella ime,” ka deklaruar Lekaj. Ai ka theksuar se përkrahja në Novosellë po reflekton rritjen e besimit të qytetarëve në programin dhe vizionin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës edhe në nivel komunal dhe qendror. Në kuadër të aktiviteteve elektorale, Lekaj ka bërë të ditur se së fundmi ka qëndruar edhe në fshatin Doblibare, ku bashkë me banorët ka diskutuar për planin qeverisës të AAK-së dhe vizionin për zhvillimin e Kosovës, në prani të kryetarit të partisë, Ramush Haradinaj, të cilin e ka cilësuar si kryeministër të ardhshëm. Sipas tij, gjithandej Gjakovës po vërehet rritje e vazhdueshme e besimit në programin e Aleancës, në udhëheqje të vendosur dhe në politika që, siç tha, i shërbejnë drejtpërdrejt qytetarit. /Telegrafi/