Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka pritur në takim ministrin në detyrë të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishin, me të cilin ka diskutuar për projektet e realizuara dhe ato që janë në proces në këtë komunë. Pas takimit, Hyseni dhe Durmishi kanë vizituar disa nga projektet infrastrukturore në terren, përfshirë rrugën “Hamdi Kurteshi”, ku po realizohet një investim në vlerë prej 2.4 milionë euro, si dhe segmentet e auto-udhës Bresalc–Banullë, pjesë e autostradës Prishtinë–Gjilan. Kryetari Hyseni e ka falënderuar ministrin për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme të ministrisë, duke theksuar se gjatë viteve të fundit janë realizuar dhjetëra projekte në dobi të qytetarëve të Gjilanit. Ai ka shprehur shpresën se kjo mbështetje do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Hyseni ka bërë të ditur se aktualisht Komuna e Gjilanit po funksionon në një objekt tjetër, pasi ndërtesa e vjetër është rrënuar për t’i hapur rrugë realizimit të projektit “Bulevardi i Qytetit”, i cili konsiderohet investimi më i madh kapital ndonjëherë në Gjilan, me vlerë 18 milionë euro. Gjatë vizitës në rrugën “Hamdi Kurteshi”, kryetari e ka informuar ministrin se kjo zonë më herët kishte qenë në gjendje të rëndë infrastrukturore, ndërsa tani po merr pamje të re me infrastrukturë të plotë përcjellëse. Sa i përket autostradës Prishtinë–Gjilan, Hyseni ka njoftuar se katër kontrata për katër segmentet e kësaj rruge janë shkëputur, duke shtuar se me nënshkrimin e kontratave të reja pritet të përfundojë ky projekt i rëndësishëm për rajonin. Nga ana e tij, ministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, tha se vizita në Gjilan kishte për qëllim vlerësimin e projekteve në terren dhe urimin e kryetarit Hyseni për mandatin e tij të dytë. Ai theksoi se gjatë mandatit të kaluar janë ndërtuar dhe rehabilituar dhjetëra rrugë në këtë komunë, duke përmirësuar ndjeshëm qarkullimin dhe infrastrukturën. Durmishi bëri të ditur se punimet në rrugën “Hamdi Kurteshi” po zhvillohen me intensitet të lartë, ndërsa sa i përket autostradës Prishtinë–Gjilan, ai konfirmoi se janë shkëputur katër kontrata për katër segmentet. “Sapo të nënshkruhen kontratat e reja, brenda një viti do të përfundojë autostrada e Gjilanit”, tha ministri Durmishi, duke shtuar se në të ardhmen mbështetja për Gjilanin do të rritet me projekte të reja zhvillimore. / Telegrafi /