Nën udhëheqjen e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, është mbajtur takimi i radhës me Ekipin e Përbashkët për Përzgjedhjen dhe Shenjëstrimin e Krimeve të Rënda, ku është shenjëstruar rasti i koduar “Qielli i thyer”. Sipas njoftimit thuhet se 33 persona ndodhen në paraburgim, ndërsa janë ndaluar me urdhër pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme në vlerë rreth 60 milionë euro. “Gjatë këtij takimi është shenjëstruar rasti i koduar “Qielli i thyer” për veprat penale: Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal lidhur me veprat: blerja, posedmi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkoktivë, subsantace psikotrope dhe analoge; Shpëlarja e parave; Falsifikim i parasë; Falsifikim i dokumenteve; Mbajtja në pronësi ose posedim të pauatoizuar të armëve”, thuhet në njoftim. Po ashtu në njoftim thuhet se janë ngrirë mjete financiare në llogari bankare në vlerë rreth 1.5 milionë euro dhe janë sekuestruar 80 vetura luksoze me vlera milionëshe, duke bërë që vlera totale e pasurisë së sekuestruar deri më tani të arrijë rreth 80 milionë euro. Hetimet janë zgjeruar dhe, për shkak të ndjeshmërisë së rastit, janë caktuar dy prokurorë për trajtimin e tij. Prokuroria Speciale mbetet e përkushtuar që të trajtoj këtë rast me prioritet, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për zbardhjen e plotë të rastit. /Telegrafi/