Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka deklaruar se partia që ai drejton ka hyrë në një fazë të re reformimi të thellë pas Kongresit të Pestë, duke theksuar se 82 për qind e strukturës së re udhëheqëse përbëhet nga anëtarë që më parë nuk kanë qenë pjesë e organeve drejtuese. Ahmeti paralajmëroi se zgjedhja e qeverisë dhe mbrojtja e ligjeve me shumicë të Badenterit do të jenë kusht për çdo pjesëmarrje eventuale të BDI-së në pushtet. Në një brifing me gazetarët, Ahmeti iu përgjigj edhe pakënaqësive të shfaqura pas kongresit, duke minimizuar reagimet publike. “Janë dy-tre persona që kanë reaguar. Njëri prej tyre, Abdulselam Selami, më ka kërkuar falje dhe ka pranuar se reagimi ka qenë i nxituar. Ata që largohen sepse nuk janë zgjedhur në funksione – le të ikin”, tha Ahmeti. Sipas tij, ndryshimet në strukturën e partisë janë historike dhe të papara më herët në Maqedoninë e Veriut. ]“Këshilli i Përgjithshëm i zgjedhur në kongres ka 82 për qind anëtarë të rinj. Ma gjeni një parti në rajon që ka bërë një ndryshim të tillë”, theksoi Ahmeti, duke shtuar se 29 për qind e përbërjes janë gra, ndërsa 12 anëtarë janë nën moshën 29-vjeçare. Në total, 91 anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm janë fytyra të reja në strukturat drejtuese. Ahmeti sqaroi se anëtarët e vjetër që nuk janë pjesë e kryesisë nuk do të mbeten jashtë proceseve politike. “Do të formohet Këshilli Kombëtar dhe komitetet e veteranëve, nga nëndegët deri te degët. Të gjithë ata që janë dëshmuar në aktivitete do të përfshihen”, deklaroi ai. Duke folur për vendimmarrjen brenda partisë, Ahmeti tha se debati i brendshëm ka qenë dhe mbetet intensiv. “Vendime të rëndësishme nuk merren pa koordinim dhe konsultim. Askush nuk ka të drejtë të devijojë nga parimet themelore të BDI-së: shteti unitar, barazia, mosnxitja e urrejtjes ndëretnike”, nënvizoi kreu i BDI-së. Ahmeti prezantoi edhe idenë për një Marrëveshje Kombëtare për Përparim, duke thënë se vendi është lodhur nga politikat ditore dhe përfitimet partiake. “Nëse kemi pasur guxim për Marrëveshjen e Ohrit dhe atë të Prespës, pse të mos kemi një marrëveshje kombëtare për përparim, me ekspertët më të mirë që ka vendi”, tha ai, duke kritikuar edhe Odat ekonomike për, siç u shpreh, thellimin e ndasive dhe mbrojtjen e oligarkisë. Në këtë kontekst, Ahmeti ritheksoi propozimin që Qeveria të zgjidhet me shumicë të Badenterit dhe që ligjet e miratuara me këtë mekanizëm të mos mund të anulohen nga Gjykata Kushtetuese pa të njëjtën shumicë. “Kjo nuk shkakton asnjë shqetësim te bashkëqytetarët tanë maqedonas. Është zgjidhje e balancuar dhe e analizuar”, tha Ahmeti, duke paralajmëruar rikthimin e tezave të vjetra për ndarjen e vendit dhe duke theksuar se BDI mbetet fuqishëm në mbrojtje të shtetit unitar.