Ministria e Mbrojtjes ka përfunduar procedurat për blerjen e pajisjeve anti-tank nga Gjermania për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK). Lajmi është konfirmuar për The GeoPost nga Ministria e Mbrojtjes e Kosovës. Armët PANZERFAUST 3 pritet t’i dorëzohen së shpejti FSK-së, duke rritur ndjeshëm kapacitetet e saj mbrojtëse kundër mjeteve të blinduara. Paralelisht, Kosova ka nënshkruar edhe një marrëveshje me prodhuesin amerikan të industrisë ushtarake AM General për blerjen e sistemeve moderne të artilerisë së lëvizshme HUMVEE Hawkeye 105 mm. Përveç sistemeve të artilerisë Hawkeye, kontrata trivjeçare parasheh edhe furnizimin e FSK-së me ambulanca, kamionë për komandim dhe kontroll, si dhe mjete të tjera mbështetëse, të nevojshme për funksionimin e një baterie të plotë artilerie dhe zhvillimin e kapaciteteve të qitjes indirekte. Nga AM General, zëvendëspresidenti ekzekutiv për Zhvillim Biznesi, John Chadbourne, deklaroi se shitja e sistemit HUMVEE Hawkeye për Kosovën është dëshmi e përkushtimit të kompanisë për të ofruar zgjidhje të avancuara për nevojat moderne ushtarake. /Telegrafi/