IA-ja është një flluskë që pritet të shpërthejë, por prapëseprapë do ta ndryshojë botën

Nga: Sean Thomas / The Telegraph Përkthimi: Telegrafi.com Të gjithë mund të shohim se çfarë është duke ndodhur. Mania e investimeve është e çmendur. Kapitali po derdhet në startape me një ritëm marramendës, ndërsa spekulatorët e bindin veten se kjo teknologji marramendëse do ta riformësojë tregtinë, komunikimin dhe industrinë. Kompanitë e reja shpallen çdo javë, edhe pse vlerësimet në treg po shkëputen nga realiteti ekonomik. Ndërkohë, lufta për talente është e ashpër: inxhinierët me përvojë marrin paga jashtëzakonisht të larta dhe të rinjtë në të njëzetat joshen nga manjatët dhe ministrat. Ashiqare po flas - si të gjithë të tjerët - për bumin e inteligjencës artificiale [IA]. Apo jo? Gabim. Ajo që po përshkruaj është ajo që ndodhi në fillim të epokës së hekurudhave në Mbretërinë e Bashkuar në vitet ’40 të shekullit XIX. Në fillim, njëjtë si me IA-në, paratë rridhnin dhe investimet ngriheshin në qiell. Mania e hekurudhave në vitet ‘40 të shekullit XIX çoi në kalimin e rreth 270 ligjeve për hekurudhat - vetëm në vitin 1846, duke autorizuar rreth 9 500 milje të linjave të reja [afro 15 500 kilometra]. Por, nga fillimi i viteve ’50 të shekullit XIX, flluska plasi në mënyrë spektakolare. Hekurudha direkte Londër-Portsmuth u shemb pa shtruar asnjë milje të vetme me shina. Hekurudha e Londrës dhe Jorkut, përkundër planeve madhështore, u shkri përpara se të përfundonte itinerarin e saj. Ndërmarrje të panumërta më të vogla u zhdukën në mjegullën e zezë viktoriane, duke lënë aksionarët pa asgjë. E, megjithatë, nga kjo rrëmujë dolën kompanitë që do të përcaktonin epokën: Hekurudha e Madhe Perëndimore [ Great Western Railway ] e ndërtuar nga Bruneli, mbijetoi dhe lulëzoi. Hekurudha e Londrës dhe Veriperëndimit [ London and North Western Railway ] u rrit në kompaninë më të madhe aksionare në botë. Dhe, pastaj hekurudhat u përhapën në gjithë globin, duke lidhur brigjet e ShBA-së dhe Kanadasë, duke bashkuar Indinë, duke e bërë të mundur të udhëtohej nga Vladivostoku në Vjenë për disa ditë, jo muaj. Dhe, njerëzimi ndryshoi. Analogjia nuk është çudi. Pse? Sepse kështu ndodh pothuajse me çdo përparim të madh teknologjik në historinë e njerëzimit. Në fakt, kjo sekuencë - investime të mëdha të ndjekura nga një paqëndrueshmëri ekstreme dhe më pas një kolaps i tmerrshëm (për disa) - është aq e parashikueshme saqë pothuajse është tregues se diçka vërtet transformuese po ndodh. Dëshiron më shumë fakte bindëse? Ja një përshkrim i përafërt i asaj që ndodhi kur elektriciteti erdhi në vitet ‘80 dhe ’90 të shekullit XIX. Fillimisht, investitorët e etur nxituan për të financuar kompani të ndriçimit elektrik. Vetëm në Amerikë, mbi gjashtë mijë kompani të vogla elektrike u krijuan brenda pak vitesh. Aksionet e sipërmarrjeve elektrike u bënë yje të Uoll-Stritit [Wall Street]. Dhe, pastaj flluska pëlciti dhe tronditja ishte e pamëshirshme. “Lufta e rrymave” mes DC-së së [Thomas] Edisonit dhe AC-së së [George] Westinghouseit bëri që dhjetëra kompani më të vogla të shkatërroheshin nga gjigandët. Në prag të shekullit të ri, vetëm pak mbijetues - General Electric , Westinghouse , Siemens - dominonin skenën. Kufomat e dështimeve mbulonin fushëbetejën ekonomike. Të gjitha këto, pa dyshim, ishin të dhimbshme. Por, elektriciteti? Ai transformoi qytetet, shtëpitë, transportin, industrinë - dhe na çoi te frigoriferi, radioja, televizori, kompjuteri dhe interneti. Sa i përket flluskave, pëlcitjeve ose pasojave, ato ishin mjaft të mira për njerëzimin. Mund të vazhdoj fare lehtë, sepse e njëjta gjë ndodhi me ardhjen e internetit (e mban mend krizën dot.com ?), me ardhjen e motorit me djegie të brendshme dhe, ndoshta, me shpikjen e shtypshkronjës. Në fakt, ndonjëherë pyes veten nëse njerëzit kanë qenë gjithmonë kështu me teknologjitë e reja të çmendura që nga fillimi i kohërave. Për shembull, më pëlqen të imagjinoj se si ka qenë atmosfera kur zjarri erdhi. A ka pasur “skeptikë të zjarrit” në “Gazetën Neolitike” që kritikonin këtë modë të re pa shije? Mund të imagjinoj si mund të kenë qenë artikujt e tyre. “Entuziazmi fillestar është ftohur pasi Korporata Fërkimi i Shkopinjve [ Rubbing Sticks Together Inc ] dha një vlerësim prej dyzet çatallesh mamuthi”. “Analistët ankohen se modeli i biznesit mbështetet së tepërmi në shkëndija dhe ndjesi”. “‘Po, është i ngrohtë’, pranon një kritik, ‘por, vetëm në aspektin lokal dhe vetëm nëse ulesh shumë pranë tij’”. Përfundimi? Është me rëndësi të bëhet dallimi midis ngjarjes së përkohshme - flluskës - dhe ndryshimit epokal: teknologjisë. Shumë komentues i ngatërrojnë këto dy dhe për këtë arsye mendojnë se gjithë IA-ja është marrëzi e mbivlerësuar. Para disa ditësh pashë një gazetar që pohonte për IA-në se teknologjia që na ishte premtuar se do të bënte gjithçka, “në fakt nuk di të bëjë asgjë”. Vërtet? “Nuk di të bëjë asgjë”? Provoje t’ua thuash këtë përkthyesve: IA-ja ka përpirë industrinë e tyre, sepse ka zotëruar të gjitha gjuhët. Dhe, IA-ja do të zgjerohet vetëm më tej - edhe pse ne njerëzit do të vazhdojmë, përgjithmonë, të fryjmë flluskat. /Telegrafi/