Nënkryetari i PDK-së dhe i dyti në listën zgjedhore për zgjedhjet e 28 dhjetorit, Uran Ismaili, i ftuar në emisionin Debat Plus në RTV Dukagjini, ka folur për klimën politike në vend dhe pritjet nga zgjedhjet e ardhshme. Ismaili tha se qeverisja aktuale ka instaluar një klimë të thellë polarizimi, e cila, sipas tij, ka depërtuar edhe brenda familjeve kosovare. Ai theksoi se përçarja nuk ka qenë vetëm politike, por ka prekur çdo zë ndryshe në shoqëri. “Ky konflikt nuk ka qenë vetëm me partitë politike, por me këdo që ka pasur mendim ndryshe – shoqërinë civile, mediat, intelektualët, sociologët apo ekonomistët. Nëse nuk ke menduar njëjtë, je sulmuar,” tha Ismaili. Sipas tij, Bedri Hamza përfaqëson të kundërtën e kësaj qasjeje. Ai vlerësoi se Hamza ka pasur gjithmonë rol bashkues dhe ka punuar për krijimin e konsensusit në vend. “Z. Hamza çdo herë ka pasur rol në drejtim të krijimit të konsensusit dhe bashkimit,” u shpreh Ismaili. Ai shtoi se kjo është një nga arsyet kryesore pse qytetarët sot po kërkojnë stabilitet dhe normalitet politik, si dhe politika që përmirësojnë mirëqenien e familjeve. Ismaili theksoi se besimi i qytetarëve ndaj Bedri Hamzës lidhet edhe me pritjet për ulje të çmimeve, politika që lehtësojnë barrën e faturave të energjisë elektrike, rritje pagash dhe investime që përmirësojnë strukturën ekonomike të vendit. “Të gjitha këto janë iniciativa që e shtyjnë Kosovën përpara,” përfundoi Ismaili.