Siguria, dialogu strategjik e të drejtat e shqiptarëve në Luginë – takimi i presidentes Osmani me Zëvendës Sekretarin e Shtetit të ShBA-së, Landau

E para e shtetit, Vjosa Osmani ditë më parë është takuar me Zëvendës Sekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Landau. Në këtë takim u diskutua çështja e sigurisë, dialogu strategjik, të drejtat e shqiptarëve në Luginë dhe çështje tjera. Presidenca e Kosovës ka dhënë detaje për takimin, gjersa ka bërë të ditur se presidentja Vjosa Osmani ka shprehur mirënjohjen e popullit të Kosovës për nënshkrimin nga Presidenti Donald Trump të Ligjit për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA), për mbështetjen amerikane ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, për vizionin e Presidentit Trump që dialogu të bazohet në njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në NATO, si dhe për rritjen e investimeve strategjike ekonomike. E para e shtetit po ashtu ka folur edhe për zhvillimet e fundit, situatën e sigurisë në rajon, si dhe për rëndësinë e shtyrjes përpara të Dialogut Strategjik Kosovë–SHBA, si një platformë thelbësore për forcimin e partneritetit dypalësh dhe avancimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët. Në këtë takim, Presidentja ka ngritur çështjen e shkeljeve flagrante nga ana e Serbisë të të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, duke kërkuar përkrahjen e Administratës Trump për këtë çështje. "Sa i përket raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Presidentja shprehi mirënjohje ndaj politikës së qartë të Administratës Trump që dialogu duhet të bazohet në njohje reciproke dhe për faktin që janë përjashtuar idetë e rrezikshme për ndryshime të kufijve apo ndarje. Kjo qasje, shtoi ajo, është e domosdoshme, në mënyrë që të ruhet paqja e stabiliteti në rajonin tonë", vijon tutje njoftimi i Presidencës. /Telegrafi/