Barcelona nuk ka para, nuk do të transferohet mbrojtës në janar

Barcelona nuk planifikon të nënshkruajë me një qendërmbrojtës gjatë afatit kalimtar të janarit, pavarësisht dëmtimit afatgjatë të Andreas Christensen, sipas raportimeve të Marca-s. Mungesa e danezit fillimisht rihapi diskutimet brenda klubit për një përforcim të mundshëm në repartin defensivë gjatë afatit kalimtar të dimrit. Megjithatë, pas analizave të brendshme, drejtori sportiv Deco ka vendosur të mos ndërmarrë hapa konkretë në këtë drejtim. Sipas drejtuesve të klubit katalanas, aktualisht nuk ekzistojnë opsione të përshtatshme për qendërmbrojtës në treg, sidomos në këtë fazë të sezonit, ku lëvizjet janë të kufizuara dhe kostot të larta. Një tjetër faktor kyç mbeten kufizimet financiare. Barcelona nuk ka hapësirën e nevojshme ekonomike për të investuar në një mbrojtës të ri gjatë janarit, ndërsa rregullat e regjistrimit e bëjnë të pamundur edhe afrimin e një lojtari të lirë. Si pasojë, klubi ka vendosur të ruajë stabilitetin aktual dhe të presë deri në verë, kur çështja e përforcimit të mbrojtjes do të rivlerësohet në kushte më të favorshme financiare dhe sportive. /Telegrafi/