Institucionet parashkollore në Prishtinë do të jenë të mbyllura nga 31 dhjetori deri më 7 janar

Të gjitha institucionet parashkollore në kryeqytet do të jenë të mbyllura për një periudhë disa ditore, nga 31 dhjetori 2025 deri më 7 janar 2026. Vendimi u mor pas aprovimit nga kryetari i Prishtinës, Perparim Rama, i cili miratoi kërkesën për pushim të përkohshëm të kopshteve dhe çerdheve, përcjell Telegrafi. Sipas njoftimit të komunës, pushimi ka për qëllim realizimin e punimeve të nevojshme teknike dhe higjieno-sanitare, që përfshijnë ndërhyrje si dezinfektimi dhe deratizimi, të cilat nuk mund të kryhen gjatë pranisë së fëmijëve dhe stafit. Komuna thekson se ky pushim është një masë për të garantuar shëndetin dhe sigurinë e fëmijëve dhe personelit arsimor, duke siguruar që institucionet parashkollore të jenë të përgatitura për fillimin e vitit të ri shkollor në kushte të sigurta. / Telegrafi /