Kur Crystal Palace synon të hedhë një tjetër hap drejt trofeve, përballja e së martës ndaj Arsenalit në ‘Emirates Stadium’ mund të vendoset nga një emër i vetëm, Adam Wharton. Mesfushori 21-vjeçar po shndërrohet në figurë kyçe për suksesin e klubit dhe po dëshmon se është gati të krahasohet me më të mirët e Ligës Premier. Wharton ishte një nga protagonistët kryesorë në triumfin e Palace në FA Cup kundër Manchester Cityt dhe më pas në fitoren e Community Shield ndaj Liverpoolit. Tashmë, skuadra e Oliver Glasner është dy raunde larg një tjetër finaleje në Wembley në EFL Cup, por fillimisht duhet të eliminojë Arsenalin, liderët aktualë të kampionatit. Në këtë sfidë dhe në vazhdim, roli i Wharton pritet të jetë vendimtar. Edhe pse ende shumë i ri dhe me më pak se 50 ndeshje në Ligën Premier, Wharton shquhet për qetësinë, inteligjencën dhe kontrollin e lojës. Analistët e BBC dhe ish-lojtarë të njohur e përshkruajnë si një “numër gjashtë” modern, që di të ndërtojë lojën, të fitojë topa dhe të pozicionohet saktë pa shumë vrapime të kota. Në ndeshje të vështira, si ajo ndaj Manchester City, Wharton ka qenë ndër lojtarët më të mirë të Palace, duke treguar personalitet edhe përballë skuadrave më të forta. Këtë sezon ai ka luajtur mbi 1,200 minuta në Ligën Premier dhe renditet ndër më të mirët në skuadër për pasime në zonën sulmuese dhe për ndikim në fazën e ndërtimit. Krahasuar me mesfushorë të njohur si Declan Rice, Moises Caicedo apo Bruno Guimaraes, Wharton mban nivele shumë konkurruese, sidomos në aspektin mbrojtës dhe leximin e lojës. Forma e tij ka tërhequr vëmendjen e klubeve të mëdha si Chelsea, Liverpool dhe të dyja ekipet e Mançesterit, çka e bën afatin e janarit një moment të ndjeshëm për Crystal Palace. Nëse Crystal Palace synon të vazhdojë të ëndërrojë për trofe dhe Evropë, Adam Wharton duket se është lojtari që mban çelësin e kësaj rruge. /Telegrafi/