Të paktën pesë persona kanë humbur jetën pasi një aeroplan i Marinës Meksikane u rrëzua në kushte mjegulle pranë Galveston, Teksas të hënën, ndërsa transportonte një fëmijë viktimë të djegieve. Sipas faqes së internetit të gjurmimit të fluturimeve Flight Radar, aeroplani u regjistrua për herë të fundit në orën 15:01 mbi Gjirin e Galveston, pranë aeroportit ndërkombëtar Scholes, transmeton Telegrafi. Aeroplani po merrte pjesë në një mision mjekësor në emër të Fondacionit Michou y Mau, i cili ofron kujdes për fëmijët meksikanë me djegie të rënda. Sekretariati i Marinës së Meksikës tha se një person mbetet i zhdukur dhe dy të tjerë u shpëtuan. Pamjet e ndara nga agjencia e lajmeve AP treguan rrënojat e aeroplanit në ujë, me dëshmitarë dhe oficerë policie që shiheshin duke hyrë në ujë për të kërkuar në mbeturina. Sky Decker, një kapiten lokal i jahteve, tha se ai çoi dy oficerë policie në vendin e aeroplanit pothuajse të zhytur, përpara se të hidhej në ujë dhe të gjente një grua të plagosur rëndë të bllokuar. "Nuk mund ta besoja. Ajo kishte ndoshta tre inç hapësirë ajri për të thithur”, tha ai. Dhe kishte karburant aeroplani atje të përzier me ujin, tym shumë të keq. Ajo po luftonte vërtet për jetën e saj", shtoi ai. Më parë, Sekretariati i Marinës Meksikane tha se operacionet e kërkim-shpëtimit ishin duke u zhvilluar në koordinim me Rojën Bregdetare të SHBA-së. Videoja e filmuar pranë aeroportit ndërkombëtar Scholes në Galveston tregoi shpëtimtarët, përfshirë një ekip zhytësish, duke punuar në mjegull të dendur. Në një deklaratë të ndarë në X, Fondacioni Michou y Mau u dërgoi "ngushëllimet tona më të thella familjeve të viktimave të kësaj tragjedie". /Telegrafi/