Arrestimi i një zyrtari, ATK: Është pezulluar nga detyra deri në përfundimin e procedurave nga organet kompetente të drejtësisë

Pas njoftimit të Policisë së Republikës së Kosovës lidhur me arrestimin e një zyrtari të Administratës Tatimore të Kosovës, i dyshuar për vepër penale, ATK thekson se ka vepruar menjëherë në përputhje me kornizën ligjore në fuqi. ATK bën të ditur se zyrtari i përfshirë është pezulluar nga detyra deri në përfundimin e procedurave nga organet kompetente të drejtësisë. “Administrata Tatimore e Kosovës rithekson se integriteti institucional dhe respektimi i ligjit janë parime thelbësore të punës së saj. ATK mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe adresimin e çdo forme të keqpërdorimit dhe korrupsionit, me qëllim ruajtjen e transparencës dhe besimit të qytetarëve dhe tatimpaguesve”, thuhet në njoftim. Po ashtu, ATK thekson se mbetet e përkushtuar për bashkëpunim të vazhdueshëm me institucionet e rendit dhe drejtësisë, në këtë dhe në çdo rast tjetër ku ka dyshime për shkelje të ligjit. /Telegrafi/