Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat e Statistikave të Tregtisë së Jashtme për muajin nëntor 2025, të cilat tregojnë se deficiti tregtar i Kosovës ka mbetur pothuajse i pandryshuar krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas ASK-së, deficiti tregtar në nëntor 2025 arriti në 469,9 milionë euro, që paraqet një ndryshim minimal prej 0,0% krahasuar me nëntorin e vitit 2024, kur deficiti ishte 470,0 milionë euro. Në këtë periudhë, eksporti mbuloi importin me 15,7%. Vlera e eksporteve të mallrave në nëntor 2025 ishte 87,7 milionë euro, ndërsa importet arritën në 557,6 milionë euro. Krahasuar me një vit më parë, eksportet shënuan rënie prej 9,5%, ndërsa importet ranë për 1,6%. Në strukturën e eksporteve, peshën më të madhe e kishin metalet bazë dhe artikujt prej tyre me 20,3%, të pasuara nga produktet minerale (15,4%), plastika dhe goma (11,2%), ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani (11,1%), si dhe artikujt e ndryshëm të prodhuar (10,2%). Ndërkohë, importet dominoheshin nga makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike me 13,3%, ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 13,1%, produktet minerale me 13,0% dhe mjetet e transportit me 12,4%. Sa i përket tregtisë me Bashkimin Evropian, eksportet e Kosovës drejt vendeve të BE-së arritën në 26,6 milionë euro, ose 30,3% të eksporteve totale, duke shënuar rënie prej 20,9%. Partnerët kryesorë të eksportit në BE ishin Gjermania, Italia dhe Holanda. Importet nga BE-ja kapën vlerën 240,3 milionë euro, apo 43,1% të importeve të përgjithshme, me rënie prej 0,9%. Eksportet me vendet e CEFTA-s arritën në 42,8 milionë euro, ose 48,8% të eksporteve totale, me rënie prej 6,1%. Partnerët kryesorë në këtë grup ishin Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Mali i Zi. Ndërkaq, importet nga CEFTA shënuan rritje prej 6,2%, duke arritur në 76,5 milionë euro. Eksportet drejt vendeve të tjera arritën në 18,3 milionë euro, ose 20,9%, ku Zvicra dhe Turqia ishin partnerët kryesorë. Importet nga këto vende kapën vlerën 240,8 milionë euro, me Turqinë dhe Kinën si burimet kryesore të importit. Për më shumë informacione rreth Statistikave të Tregtisë së Jashtme për muajin nëntor 2025, ASK njofton se të dhënat e detajuara janë të publikuara në faqen zyrtare të institucionit. /Telegrafi/