Barcelona shkon në pushimin dimëror me një epërsi prej katër pikësh në krye të tabelës në La Liga dhe me shumë arsye për optimizëm. Megjithatë, fundjava solli një tjetër goditje të rëndë afatgjatë në formë dëmtimi për skuadrën. Mbrojtësi danez Andreas Christensen është diagnostikuar me një këputje të pjesshme të ligamentit, një dëmtim që pritet ta mbajë jashtë fushave për rreth katër muaj. Edhe sezonin e kaluar, Christensen humbi pjesën më të madhe të edicionit për shkak të problemeve fizike. Sipas Cadena SER , ky lajm ishte një goditje e fortë për moralin e dhomës së zhveshjes së Barcelonës. Christensen konsiderohet një profesionist model dhe është shumë i vlerësuar nga bashkëlojtarët e tij, çka ka bërë që kjo humbje të ndihet edhe më thellë. Ai është dëmtimi i tretë afatgjatë këtë sezon, pas Gavit dhe Marc-Andre Ter Stegen, ndërsa Ronald Araujo është rikthyer së fundmi pas një periudhe pushimi për t’u rikuperuar mendërisht. I njëjti burim raporton gjithashtu se presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, është në favor të një vendimi surprizë për të rinovuar kontratën e Christensenit. Pas dëmtimit, Laporta dëshiron t’i ofrojë atij një zgjatje njëvjeçare të kontratës si një gjest vullneti të mirë. 29-vjeçari është pa kontratë në fund të sezonit dhe ka pranuar se është i pasigurt për të ardhmen e tij./ Telegrafi /