KPM reagon pas vendimit të Themelores për zgjedhjen e kryetarit: Do t’i drejtohemi Gjykatës së Apelit

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka reaguar përmes një sqarimi institucional lidhur me vendimet e fundit gjyqësore që kanë të bëjnë me Rregulloren e Punës dhe zgjedhjen e Kryetarit të KPM-së, duke theksuar se respekton dhe zbaton vendimet e gjykatave, por shpreh shqetësime serioze për mënyrën e interpretimit të ligjit. “KPM respekton dhe zbaton vendimet e gjykatave çdoherë pavarësisht nivelit profesional dhe qëllimit të tyre”, thuhet në njoftim, ndërsa theksohet se dy vendimet e fundit “kanë neglizhuar në tërësi nenet relevante të specifikuara nga KPM”. Sipas KPM-së, ligjet janë një e mirë publike dhe nuk duhet të përdoren për interesa të caktuara. “Ligjet nuk janë për t’u përdorur si vegla të adaptueshme të cilat akordohen sipas prioriteteve të ndryshme”, thuhet më tej në reagim. Komisioni vlerëson se gjatë trajtimit të kësaj çështjeje ka pasur arbitraritet dhe mungesë të respektit ndaj argumenteve institucionale. “Jemi krejt të bindur se arbitrariteti, diskriminimi dhe mungesa e respektit minimal ndaj argumenteve të ofruara nga ana e KPM-së i ka karakterizuar të gjitha fazat e administrimit të kësaj lënde deri tani”, thekson njoftimi. KPM gjithashtu shpreh shqetësim për ndikimet e jashtme në vendimmarrje, duke theksuar se “gjykata duhet të gjykojë në bazë të fakteve e argumenteve… e jo në bazë të retorikës dhe ndikimeve të jashtme që kanë synim ndërhyrjen dhe kontrollin në organizimin e brendshëm të KPM-së”. Në njoftim thuhet se dobësimi i institucioneve të pavarura kushtetuese cenon sovranitetin e vendit. “Dobësimi me ose pa vetëdije i institucioneve të pavarura kushtetuese nënkupton më pak sovranitet për vendin tonë”, vlerëson KPM. Sa i përket hapave të mëtejmë ligjorë, KPM bën të ditur se “kushtetutshmëria e vendimit të Gjykatës Supreme është në trajtim nga Gjykata Kushtetuese”, ndërsa vendimi i fundit i Gjykatës Themelore do të dërgohet në Gjykatën e Apelit. Në fund, KPM thekson se do të vazhdojë të mbrojë mandatin e tij institucional. “KPM do të vazhdojë të mbrojë mandatin dhe integritetin e tij në interes të publikut”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/