Union Saint-Gilloise ofertë për Besfort Zenelin, Elfsborgu kërkon më shumë

Union Saint-Gilloise ka bërë një ofertë për mesfushorin e Elfsborgut, Besfort Zeneli, megjithatë kjo shumë vlerësohet si e pamjaftueshme nga klubi suedez. Zeneli, 23 vjeç, aktivizohet si mesfushor qendror dhe është pjesë e Elfsborgut që nga janari i vitit 2022, ku është shndërruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm të ekipit. Union Saint-Gilloise që luan në Ligën e Kampionëve ka bërë ofertë në vlerë 2.3 milionë euro për mesfushorin shqiptar, që duket e pamjaftueshme për klubin suedez. Sipas vlerësimeve aktuale të tregut, kartoni i tij kap shifrën e 4.5 milionë eurove, ndërsa ai ka edhe tre vite kontratë të mbetura me klubin suedez. Mesfushori i talentuar posedon gjithashtu shtetësinë e Kosovës, por deri më tani ka zhvilluar pesë paraqitje me Kombëtaren e Suedisë. Forma e tij në sezonin e fundit në elitën e futbollit suedez ka qenë mbresëlënëse, duke regjistruar 2 gola dhe 8 asistime në 27 ndeshje, statistika që kanë tërhequr vëmendjen e disa klubeve evropiane. Interesimi i Union Saint-Gilloise konfirmon rritjen e reputacionit të Zenelit në tregun ndërkombëtar, ndërsa Elfsborgu pritet të kërkojë një shumë më të lartë për të lejuar largimin e një prej lojtarëve kyç të skuadrës së tij. /Telegrafi/