Për herë të parë në historinë e Big Brother të Shqipërisë ka hyrë një banor me nevoja të veçanta. Bëhet fjalë për Stenaldo Mëhillin, i cili humbi shikimin kur ishte vetëm gjashtë muajsh. Siç tha gjatë prezantimit të tij, moderatori Ledion Liço, deklaroi se Stenaldo është i pari që ka prekur shtëpinë dhe ka qëndruar për disa ditë. “Për herë të parë në historinë e Big Brother në Shqipëri dhe në të paktat raste në botë, pjesë e kastit të këtij edicioni do të bëhet edhe një banor i verbër”, ka thënë Liço. Stenaldo Mëhilli, 28 vjeç ka lindur në Fier dhe sot jeton me nënën dhe vëllanë. Rruga e tij jetësore është shënuar herët nga një ngjarje e rëndë, vrasja e të atit, e ndodhur kur ai ishte vetëm tre muajsh. Kjo humbje e hershme ka ndikuar strukturën e sistemit familjar dhe ka pozicionuar nënën si figurën qendrore të lidhjes emocionale dhe funksionale përgjatë gjithë zhvillimit të tij. Në moshën 6 mujore, si shkak i një infeksioni të rëndë, ai humbi shikimin. Pavarësisht kësaj ai i ka përballuar vështirësitë pa u vendosur në rol viktime dhe në dëshirën për t’u vlerësuar për aftësitë, përpjekjet dhe arritjet e tij, e jo nga rrethanat personale apo karakteristikat fizike. Mëhilli mori pjesë në The Voice, për të ndjekur ëndrrën e tij për muzikën, por një tjetër pasion i madh ka qënë gazetaria. Ka punuar në Top Albania Radio dhe e kujton si një nga periudhat më të bukura të jetës. Më pas, largimi në Gjermani për të punuar e ka bërë edhe më të pavarur. Stenaldo mësoi të gatuante, të orientohej në rrugët e qytetit edhe pse nuk përjashton që në shumë raste është gjendur edhe në rrezik e vështirësi. Rikthimi në Shqipëri vjen si pamundësi e nënës së tij, për t’u përshtatur me jetesën në Gjermani. Big Brother-in e ka ëndërruar prej vitesh dhe mendon se do të jetë eksperienca që do i japë një drejtim të ri personal dhe profesional.