Aksioni i policisë me AKI-në, arrestohen dy të huaj për kontrabandim me migrantë

Policia e Kosovës, përmes Sektorit të Hetimeve të Departamentit për Kufi dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), ka arrestuar sot një shtetas jordanez dhe një shtetase turke, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Kontrabandim me migrantë”. Hetimet tregojnë se i dyshuari kryesor dyshohet se ka organizuar hyrjen e shtetasve të huaj, kryesisht nga Lindja e Mesme dhe Azia, në Republikën e Kosovës, me qëllim më pas kontrabandimin e tyre drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Ai dyshohet gjithashtu të ketë udhëhequr një grup të mirëorganizuar kriminal, i cili përfitonte përmes kësaj veprimtarie të paligjshme. Gjatë kontrollit të kryer ndaj të dyshuarit, Policia konfiskoi gjithsej 53 pasaporta të shtetasve jordanezë. Pas konsultimeve me prokurorinë kompetente, të dy të dyshuarit janë dërguar në ndalim për 48 orë.