Mulliqi: Pa edukim medial, qytetarët mbeten të pambrojtur ndaj dezinformimit gjatë zgjedhjeve

Mungesa e edukimit medial dhe ndryshimi i shpejtë i mënyrës se si qytetarët informohen po e bëjnë shoqërinë kosovare gjithnjë e më të cenueshme ndaj dezinformimit, veçanërisht gjatë fushatave zgjedhore. Kështu u tha në episodin e pestë të “Përballje Podcast”( Integriteti Medial dhe Demokracia në Kosovë) ku Getoarbë Mulliqi, drejtoreshë e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), foli për rolin e organizatës, sfidat aktuale të mjedisit informativ dhe nevojën për edukim medial të qëndrueshëm. Mulliqi theksoi se roli i AGK-së është zgjeruar përtej mbrojtjes së gazetarëve, duke përfshirë edhe mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe integritetit të informacionit. “AGK-ja është themeluar si organizatë që i mbron të drejtat e gazetarëve, por roli ynë është zgjeruar edhe në mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe luftimin e fenomeneve që e dëmtojnë integritetin e profesionit,” tha Mulliqi shkruan Telegrafi. - YouTube www.youtube.com Ajo përmendi trajnime, akademi, punëtori dhe vizita studimore si pjesë të aktiviteteve të vazhdueshme të AGK-së për ngritjen e kapaciteteve profesionale të gazetarëve. Ajo shtoi se ciklet e shpeshta zgjedhore e kanë bërë dezinformimin një fenomen të vazhdueshëm në diskursin publik. Drejtoresha e AGK-së vlerësoi se gazetarët, falë trajnimeve, janë më të përgatitur për të demantuar dezinformatat, por problemi kryesor mbetet mungesa e edukimit medial te publiku. “Gazetarët kanë ditur si t’i përgënjeshtrojnë dezinformatat, por kur përballen me qytetarët, shihet qartë mungesa e edukimit mediatik,” tha Mulliqi. Foto: Ridvan Slivova Sipas saj, qytetarët shpesh nuk arrijnë të dallojnë mes një lajmi të verifikuar dhe përmbajtjeve mashtruese që qarkullojnë në rrjete sociale. A po e ndryshojnë rrjetet sociale dhe AI mënyrën e dezinformimit gjatë zgjedhjeve? Flasin Mulliqi dhe Rizanaj Mulliqi theksoi se lufta kundër dezinformimit nuk mund të fitohet pa e bërë edukimin medial pjesë të sistemit arsimor. “Ne nuk kemi shkop magjik për ta zgjidhur këtë problem. Edukimi medial duhet të institucionalizohet dhe të fillojë që në moshë të hershme,” tha ajo. Ajo theksoi se zhvillimi i të menduarit kritik është mburoja më e fortë ndaj dezinformimit, sidomos në një kohë kur inteligjenca artificiale e ka vështirësuar edhe më shumë dallimin mes të vërtetës dhe të pavërtetës ./Telegrafi/.