Këndi i Fëmijëve, iniciativa e Komunës së Prishtinës për vizitat më të lehta në komunë

Kryetari i Prishtinës, Perparim Rama, ka njoftuar krijimin e Këndit të Fëmijëve, një hapësire të dedikuar për fëmijët e qytetarëve që vizitojnë komunën për shërbime administrative. “Kjo nismë adreson nevojat e përditshme të familjeve, duke e bërë procesin administrativ më të lehtë për prindërit dhe më të përshtatshëm për fëmijët. Në frymën e festave të fundvitit, Këndi i Fëmijëve vjen si një dhuratë nga Kristale për fëmijët e qytetit”, tha kryetari Rama. Sipas tij, hapësira është e vendosur si në Komunën e Vjetër, ashtu edhe në Komunën e Re, dhe synon që vizita në institucionet komunale të jetë më e rehatshme për familjet. “Në Kryeqytet, ne duam që fëmijët tanë ta dinë se gjithçka që bëjmë është për të ardhmen e tyre dhe që ata të ndihen gjithmonë si në shtëpinë e tyre në komunë. Mirë se vini”, u shpreh Rama. Këndi i Fëmijëve pritet të përmirësojë përvojën e qytetarëve dhe të lehtësojë kohën e kaluar në institucionet komunale për familjet me fëmijë. / Telegrafi /