Nga: Ndue Dedaj Kur ndërrojnë motet, mbase i pari “bilanc” që duhet bërë është ai i gjuhës sonë, sa dhe si i kemi shërbyer asaj, duke i përmbushur detyrimet që kemi, në emër të së djeshmes, të sotmes dhe të nesërmes. Por, ç’të thuash! Mësuesja i ul një notë fëmijës së klasë së parë, që sapo ka kryer abetaren, ngaqë ai ka harruar t’i vërë dy pikat ‘ë’-së, duke mos ia falur një gabim kaq të vockël drejtshkrimor, vetëm për ta edukuar që sot me shenjtërinë e gjuhës. Ndërkohë në titrat, në ekranin e një televizioni, të gjitha ‘ë’-të janë shkruar me ‘e’, edhe pse emisioni i kushtohej “Mesharit” të Buzukut dhe profesori i Universitetit të Shkodrës, Vinçens Marku, përmes një qasjeje të re, sillte të dhëna të panjohura dhe argumente shkencore rreth botimit të kësaj vepre, lexueshmërinë e saj, pasi ka të bëjë me rrënjët e shqipes së shkruar etj.. Shqipja lëngon nga vetë ne përdoruesit e saj, jo aq të përgjegjshëm për fatet e saj. Po të ngrihej një i huaj e të na rrëmbente një fjalë të vetme, ne do të ngriheshim i madh dhe i vogël për ta mbrojtur, me flamurin tonë kombëtar në duar! Si të ishin vetë rilindësit e mëdhenj. Ndërkohë që pa na e sulmuar askush gjuhën, jemi ne që e vrasim çdo ditë, ashtu si pa dashje ... nga “dashuria” për të. E vrasim të mëdhenjtë e shtetit, kur bëjnë afera, ata që kanë dhe barrën e kujdesit institucional ndaj gjuhës. I keni parë në gazeta bisedat telefonike që bëjnë për tenderat e rrugëve, tuneleve, janë copë-copë edhe nga ana gjuhësore, por askush nuk “dënohet” për këtë gjë. Të ishin vetëm zyrtarët e qeverisë që e shpërdorojnë gjuhën! Jo, jemi të gjithë ne, kush më pak e kush më shumë. Në tabelat e rrugëve nuk shkruhet më ‘ë’–ja, ndaj një turist i ardhur nga larg nuk di si ta lexojë fjalën ‘Lure’ etj. Gjithandej ka rënë ‘ç’-ja duke u lexuar e shqiptuar ‘c’ (shkruhet certifikatë, ndërkohë që thuhet çertifikim) dhe diku tjetër ‘c’-ja bëhet padrejtësisht ‘ç’, si në rastin e mbiemrit Tuci, që shkruhet Tuçi (!?), kur ka tjetër tingëllim fonetik njëri e tjetër, tjetri. Por, ndodh dhe e kundërta, mbiemri Doçi në jo pak raste shkruhet Doci! A ka kuptim? Nëse dikush do t’i vëzhgonte gjuhësisht emërtesat e ndryshme të lokaleve tregtare dhe jo vetëm, do të shihte se pjesa më e madhe e tyre janë në gjuhët të huaja, anglisht, italisht etj. Kështu për dyqan mishi, hasim ndokund dhe trajtën shqipe mishtore - krijuar sipas të ngjashmeve: barnatore, tregore etj., edhe atë turke hallall etj. Dëgjojmë të thuhet rëndom në komentet sportive: e mposhti skuadrën iks, pse jo e mundi? Se me këtë “trend” edhe sportin e mundjes një ditë mund ta quajmë mposhtje?! Një operator turistik po shpjegonte se cilët turistë targeton Shqipëria, në kuptimin: cili target turistësh viziton vendin tonë. Vetë fjala target është një fjalë e huaj e futur vonë në shqipe dhe nuk mund të prodhojë dhe një tjetër si veten, kur kemi gjegjësen shqipe: kategori. Fëmijët zhvillojnë dhjetë ftohje në vit, thoshte në ekran një mjek, ndërkohë që saktë gjuhësisht do të ishte: prekën, kalojnë. ‘A e keni agjenduar për në ditët që vijnë?’, përdorim i gabuar për: a e keni vënë në rendin e ditës, a e keni planifikuar? Shekullofsh! Është bërë kryeurimi i ditës, edhe pse më shumë se një urim i gjetur të ngjan me një sajesë rrjetesh sociale, kinse për të thënë diçka interesante. Ne nuk e kemi foljen me shekullue, ndërkohë që kemi foljen me shkullueenën. Lexojmë diku “Flamuri flamuron” (për valëvitet), është si të thuash folja foljeron. Një dikush duke shkruar në gegnisht, shkruan zemën për zemër!? Përdorën përherë e më shumë fjalët: i mllefosur, i panikosur. Në fjalor kemi fjalën furrë, kurse në rrjete hasim dhe furri ... i bukës? Në lajmet e kronikës së zezë hasim: “Para se të niste karrierën kriminale”?! Karriera është diçka tjetër nga krimi. A nuk bëjmë karrierë në profesion? A nuk bëjmë këshillim karriere me nxënësit? Paçka se ka mbetur edhe vepër letrare, edhe vepër kriminale?! Shkrimtari Agron Tufa tërhiqte vëmendjen në përdorimin pa vend të fjalës shqipfolës, që nënkupton të huajt që kanë mësuar të flasin shqip dhe jo assesi shqiptarët, pavarësisht se ku rrojnë. Ka filluar të përdoret gabimisht fjala kulturolog për secilin person që ka qenë i punësuar në sektorët e kulturës, ndërkohë që kulturologët janë Ramadan Sokoli, Moikom Zeqo etj., dmth studiuesit e thelluar të kulturës, pra dikush që merret në nivel akademik me kulturën dhe jo përgjegjësit e vatrave të kulturës etj.. Filologu i njohur, shkrimtari Mehmet Elezi vazhdimisht këshillon se si të shkruajmë shqip pastër dhe saktë, në një rubrikë të tijën në rrjetet sociale, në media të ndryshme, apo librin e tij “Gjuha e medias dhe ’lemëza’”, ku ndër të tjera ironizon përdorimin e gabuar të foljes dekoroj: “Nisur nga fjalorët normativë të gjuhës shqipe, del se dekorimet, për të cilat flet media, nuk janë të njëmendta. Zbukurimi i qyteteve, i mjediseve e i bredhave për disa portale, gazeta e ekrane nuk qenka zbukurim, por qenka dekorim. Dritat zbukurese qenkan drita ‘dekoruese’, punëtorët nuk i zbukurojnë rrugët, por i dekorojnë”. Ka vetëm reagim gjuhëtarësh, por jo dhe debat për kulturën e gjuhës, pjesëmarrjen e njeriut në gjuhën e tij, dhënien dhe marrjen përmes saj, ndryshon puna po u cek Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972, i cili shihet si një tabu, që nuk mund t’i hiqet asnjë “cifël”, le pastaj po ra fjala për origjinën dhe lashtësinë e shqipes, ku ngrihen të gjithë në këmbë, ditur e pa ditur, a thua se flitet për pallatet parafabrikate të viteve ’70, kur kjo është një çështje rreptësisht shkencore, që iu përket vetëm specialistëve të zotë të shprehen, pavarësisht këndvështrimeve të tyre.