Ylli i Real Madridit rrezikon të mos marrë ftesën nga Spanja për Botërorin 2026

Përzgjedhësi i Spanjës, Luis de la Fuente, do të ketë shumë vendime të vështira përpara në muajt e ardhshëm, teksa përzgjedh skuadrën për Kupën e Botës në SHBA, Meksikë dhe Kanada. “Furia e Kuqe” nuk ka pësuar shumë ndryshime që nga fushata e suksesshme në Euro 2024, por gjithnjë e më shumë po shfaqen emra të rinj që po ushtrojnë presion si për vendet titullare ashtu edhe për një vend në listën përfundimtare. Forma e Martin Zubimendit dhe Mikel Merinos ka vënë në diskutim pozitat e Rodrit dhe Fabian Ruiz në formacionin bazë, ndërsa kapiteni i Euro 2024, Alvaro Morata, e ka gjithnjë e më të vështirë të sigurojë një vend në skuadër. Një tjetër repart ku mbizotëron pasiguria është mbrojtja qendrore. Një nga fytyrat e reja që është kthyer në një thirrje të rregullt nga de la Fuente është Dean Huijsen. I grumbulluar për herë të parë në mars, Huijsen la përshtypje të mira në çerekfinalet e Ligës së Kombeve po atë muaj dhe, që prej atëherë, ka qenë pjesë e skuadrës sa herë ka qenë në formë, shpesh edhe si titullar. Megjithatë, sipas Marca, vendi i tij nuk është i sigurt. Huijsen, mes dëmtimeve, ka pësuar një rënie forme së fundmi dhe ka bërë disa gabime befasuese këtë sezon nën drejtimin e Xabi Alonsos. Një nga faktorët vendimtarë do të jetë rikthimi në futbollin spanjoll i Aymeric Laporte. Tashmë i rikthyer te Athletic Bilbao, Laporte kishte humbur vendin e tij në kombëtare gjatë vitit të fundit, teksa luante për Al-Nassr në Arabinë Saudite./ Telegrafi /