Barcelona është e interesuar për dy mbrojtësit e Nottingham Forest

Barcelona po planifikonte tashmë të transferonte një mbrojtës qendror në verën e vitit 2026, por dëmtimi i Andreas Christensen mund ta detyrojë klubin të hyjë në tregun e transferimeve më herët sesa ishte parashikuar. Mbrojtësi danez është jashtë fushave për katër muaj, çka do të thotë se Hansi Flick do të ketë në dispozicion vetëm gjashtë mbrojtës për një pjesë të madhe të sezonit. Klubi katalanas ka tashmë në fokus disa objektiva afatgjatë për verën e vitit 2026, por tani po vlerëson edhe përforcime afatshkurtra për pjesën e mbetur të sezonit. Hansi Flick duket qartë se është pro transferimit, por drejtori sportiv Deco ende nuk është bindur nga alternativat që ofron tregu. Një emër që është përmendur vazhdimisht në lidhje me Barcelonën është Murillo. Mbrojtësi i Nottingham Forest, i cili ka arritur të bëhet pjesë e kombëtares së Brazilit, vlerësohet shumë brenda klubit. Sipas Sport , vlerësimi është se aftësia e tij me topin, shpejtësia dhe leximi i lojës e bëjnë atë ideal për stilin e futbollit të Barcelonës. E përditshmja katalanase shton se ka edhe një mbrojtës të dytë të Nottingham Forest në radarët e Decos. Një tjetër brazilian, Jair Cunha, ishte në axhendë që në vitin 2023, por një dëmtim ndali çdo lëvizje të mundshme në atë kohë. Tashmë 20 vjeç, Cunha u transferua nga Santos te Botafogo vitin e kaluar dhe në shkurt të këtij viti kaloi te Nottingham Forest për shumën prej 12 milionë eurosh./ Telegrafi /