Shkarkimi i Ministrit për Çështjet Evropiane, Orhan Murtezani, nuk është reformë. Është një makijazh politik. Një përpjekje për të krijuar përshtypjen se diçka po ndryshon, ndërsa në thelb, asgjë nuk po ndryshon. Problemi është te qeveria në tërësi, te paaftësia e saj, mungesa e vizionit dhe shmangia e përgjegjësisë, Murtezanin po e ndryshoni, por izolimi nga BE-ja mbetet, tha nënkryetarja e LSDM-së, Jovana Trençevska, në seancën e sotme parlamentare. Ajo theksoi se ndërsa Murtezani po sakrifikohet për opinionin, ministrat e paaftë mbeten në pozicionet e tyre dhe vazhdojnë të humbasin besimin e qytetarëve. "Ky është një shembull klasik i teatrit politik: një viktimë për të ruajtur sistemin e dështimit. Se dështimi i rrugës drejt integrimit evropian është faji i një personi, jo i Qeverisë, e cila nuk ka kapacitet për të zbatuar reforma, nuk ka guxim për të marrë përgjegjësi, nuk ka kontroll mbi institucionet, nuk ka rezultate në ekonomi, kujdes shëndetësor, arsim, mbrojtje sociale, në përmirësimin e standardeve të jetesës së qytetarëve”, shpjegoi Trençevska. Nënkryetarja e LSDM-së sqaroi se arsyeja për ngecjen në integrimin evropian nuk është personaliteti i Murtezanit, por kapaciteti dhe rezultatet e pamjaftueshme të Qeverisë në tërësi dhe mungesa e dëshirës për reforma dhe vazhdimin e rrugës evropiane. /Telegrafi/