Eksperti i sigurisë, Agim Musliu, ka reaguar ashpër ndaj shpalljes së konkursit nga Ministria e Shëndetësisë e Serbisë për vende pune në institucione ilegale shëndetësore në Kosovë, duke e cilësuar këtë veprim si ndërhyrje të drejtpërdrejtë, të qëllimshme dhe shumë të ashpër në sovranitetin e Republikës së Kosovës. Sipas Musliut, kjo nuk është hera e parë që Serbia ushtron presion të tillë ndaj Kosovës. Ai theksoi se thirrje të hapura dhe eksplicite janë bërë edhe më herët nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq, Marko Gjuriqi, e ashtuquajtura “Zyrë për Kosovë”, si dhe nga zyrtarë të tjerë të lartë serbë. Ai vlerësoi se situata bëhet edhe më shqetësuese për faktin se këto deklarata dhe veprime janë bërë edhe në prani të përfaqësuesve ndërkombëtarë, sikur të ishin të pranueshme, duke shtuar se Serbia po tenton ta normalizojë ndërhyrjen e saj në punët e brendshme të Kosovës. Musliu tha se qytetarët po kushtëzohen përmes mbështetjes financiare, ndalimeve në kufi, ushtrimit të presionit dhe shantazhit, si dhe përmes fushatave propaganduese dhe intimiduese, me qëllim të pengimit të pluralizmit politik dhe detyrimit të qytetarëve për të votuar Listën Serbe. Sipas tij, presioni ndaj Listës Serbe dhe ndaj vetë qytetarëve serbë në Kosovë është rritur ndjeshëm. Ai përmendi edhe Millan Radoiqiqin, për të cilin tha se ka urdhëruar kryesinë e Listës Serbe që të bëjë gjithçka për të siguruar dhjetë mandate, duke paralajmëruar pasoja në të kundërtën. Eksperti i sigurisë theksoi se Kosova, me Kushtetutën dhe ligjet e saj, u garanton të drejta të plota serbëve lokalë dhe të gjitha pakicave, duke shtuar se askush nuk po ua mohon këto të drejta. “Ajo që nuk mund të pranohet është që një shtet tjetër t’i përdorë qytetarët si mjet presioni politik dhe t’i mbajë peng për interesa shtetërore dhe elektorale,” tha Musliu. Në fund, ai bëri thirrje për reagim të menjëhershëm nga Bashkimi Evropian dhe faktorët ndërkombëtarë, duke shtuar se, pavarësisht presionit të lartë, serbët lokalë po përpiqen t’i rezistojnë, por ende nuk kanë guxim t’i raportojnë rastet./Telegrafi.