Rritja e Nico Paz në Serie A, por edhe emra tjerë nuk mbeten pas - disa yje pësojnë rënie

Nico Paz tashmë është shndërruar në një nga emrat më të spikatur të Serie A. Sulmuesi spanjollo-argjentinas ka qenë një nga lojtarët kyç të Comos, skuadër që aktualisht renditet në vendin e shtatë në kampionat, duke treguar formë të shkëlqyer dhe një progres të vazhdueshëm gjatë këtij sezoni. Paz ka realizuar pesë gola dhe ka dhënë pesë asistime, kontribut që ka qenë vendimtar për ta mbajtur ekipin e drejtuar nga Cesc Fàbregas në garë për një vend që dërgon në garat evropiane. Paraqitjet e tij të nivelit të lartë kanë ndikuar drejtpërdrejt edhe në rritjen e vlerës së tij në tregun e transferimeve. Sipas Transfermarkt, platformë e specializuar për vlerësimin e futbollistëve, Nico Paz – i dalë nga akademia e Real Madridit – ka shënuar një rritje prej 10 milionë eurosh në vlerë, duke arritur tashmë shifrën e 65 milionë eurove. Kjo e vendos atë në mesin e pesë lojtarëve më të vlefshëm të Serie A. Real Madridi, i cili disponon një klauzolë riblerjeje prej 10 milionë eurosh për verën e ardhshme, pritet të zhvillojë bisedime me Comon për të gjetur një marrëveshje financiare që do t’u përshtatej të gjitha palëve për sezonin e ardhshëm. Në këtë kontekst, zhvillimi i talenteve të rinj në kampionatin italian po merr gjithnjë e më shumë rëndësi. Nico Paz po ngjitet me shpejtësi, por ai nuk është i vetmi. Marco Palestra i Cagliarit (20 vjeç) ka pasur një rritje të vlerës prej 25 milionë eurosh; Davide Bartesaghi i Milanit (19 vjeç) ka shtuar 15 milionë euro në vlerësimin e tij; ndërsa Jacobo Ramón (20 vjeç), bashkëlojtar i Paz te Como dhe gjithashtu produkt i Real Madridit, vlerësohet tashmë në 18 milionë euro. Veçanërisht Jacobo Ramón ka befasuar edhe më optimistët me paraqitjet e tij si qendërmbrojtës, dhe rritja e vlerës së tij konsiderohet një tjetër dëshmi e ndikimit pozitiv që suksesi i skuadrës së Cesc Fabregas po ka edhe në aspektin financiar për Real Madridin. Thuram dhe Bremer, pësojnë rënie Në anën tjetër të spektrit janë lojtarët që kanë shënuar rënie në vlerë. Marcus Thuram, sulmuesi i Interit, ka humbur 15 milionë euro në vlerësim dhe tani vlera e tij llogaritet në 60 milionë euro. Sezoni i tij është dëmtuar ndjeshëm nga lëndimet, pasi ka luajtur vetëm 644 minuta dhe ka shënuar katër gola për liderin aktual të Serie A. Një tjetër rast i ngjashëm është Bremer, qendërmbrojtësi i Juventusit. Pas një rënieje prej 15 milionë eurosh, vlera e tij aktuale vlerësohet në 35 milionë euro. Një dëmtim i meniskut i ka penguar ecurinë këtë sezon, duke bërë që ai të zhvillojë vetëm gjashtë ndeshje. /Telegrafi/